Çështja “Beleri”, Mitsotakis: S’mund të kalojë në heshtje! Të zgjidhet ose do ndikojë në vlerësimi grek të kursit europian të Shqipërisë

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ka reaguar ashpër në lidhje me çështjen e Fredi Belerit, duke kërkuar nga qeveria shqiptare një zgjidhje “të shpejtë”, ose në të kundërt do të ndikojë në vlerësimin grek të kursit europian të vendit tonë.
Deklaratat Mitsotakis i bëri nga Brukseli, ku tha se ishte “zhgënjyer dhe indinjuar” nga qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe vendimin e Gjykatës për lënien në burg të Belerit.
Gjatë një konference për shtyp, pas përfundimit të Samitit në Bruksel të premten (30 qershor), kryeministri grek bëri me dije se ka njoftuar edhe homologët e tij për rastin e Belerit.
“Pata rastin të informoj homologët e mi për atë që po ndodh sot në Shqipëri me rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës dhe të shpreh zhgënjimin, indinjatën time për faktin se një kryetar i zgjedhur në fakt arrestohet dy ditë pas zgjedhjes së tij dhe ndodhet në burg, për ne, me dispozita të dyshimta procedurale. Unë e konsideroj si një goditje për shtetin e së drejtës. Pres që kjo çështje të zgjidhet shumë shpejt. Një çështje shumë e rëndësishme për ne dhe zgjidhja ose moszgjidhja e saj, uroj që e para që theksoj, do jetë një element i vlerësimit grek të rrugës evropiane të Shqipërisë, që fillon tani dhe është një rrugëtim i gjatë”, theksoi ai. Respektimi i rregullave bazë të shtetit ligjor është një kusht i panegociueshëm për çdo vend që parashikon të bëhet anëtar i familjes evropiane. Dua të besoj se ky mesazh është kuptuar plotësisht edhe në Shqipëri”, ka thënë Mitsotakis.
Ai theksoi se kjo është një çështje që Greqia nuk do ta lërë të kalojë në heshtje dhe se do të ketë vazhdimisht reagime nga Athina.
“Unë e respektoj absolutisht ndarjen e pushteteve, dua të jem shumë i qartë për këtë, por nga ana tjetër nuk është një çështje që do ta lë të shkojë kështu, pa pasur një reagim nga Greqia. Dhe reagimi i parë u shpreh në Këshillin Evropian me konferencën e kolegëve të mi se çfarë saktësisht po ndodh sot me këtë rast”, u shpreh ai.
Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.
Në zgjedhjet e 14 majit Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash.
Më 26 qershor u konstituua Këshilli Bashkiak i Himarës, por pa prezencën e Belerit, të cilit iu rrëzua kërkesa nga GJKKO për të qenë i pranishëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




