Lirimi i tre policëve/ Rama: Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut, s’mund të mbajnë peng Ballkanin

Politikë | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se çtensionimi i situatës në veri të Kosovës është rruga e duhur për t’iu rikthyer dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ai thekson se duhet kuptuar qartë se si Serbia ashtu edhe Kosova kanë një detyrim të madh ndaj rajonit të Ballkanit që nuk mund të merret peng nga askush.

Duke iu referuar lirimit të tre policëve të Kosovës, Rama shkruan se edhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ishte në një mendje me të se lirimi i tyre ishte lajm i mirë por i vonuar.

“Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar!

Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, shkruan Rama në Twitter.

Prishtina dhe Beogradi janë përplasur me njëra-tjetrën mbi vendosjen në funksion të komunave në veri dhe ushtrimin e detyrës nga kryetarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e mbajtura në maj. 

Vendosja e kryetarëve të rinj në këto komuna u shoqërua me protesta të dhunshme nga ana e protestuesve serbë të cilët sulmuan ushtarët e KFOR-it, policinë e Kosovës dhe nuk kursyen as mediat e gazetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ndërsa më 15 qershor gjendja arriti kulmin e tensionit midis Prishtinës dhe Beogradit, kur forcat serbe rrëmbyen tre policë brenda territorit të Kosovës. Ata u liruan ditën e sotme, nga Gjykata serbe, ndërsa mbërritën në Kosovë përmes vendkalimit kufitar në Merdarë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme