Rama nga Brukseli: Lirimi i policëve nga Serbia, lajm i vonuar. Të nisë menjëherë de-eskalimi

Kryeministri Edi Rama e konsideron kthimin e tre policëve të Kosovës në shtëpi, si një lajm të vonuar, por të mirë për t’i dhënë fund heqjen arbitrare të lirisë së tre personave dhe rihapjes së rrugës për de-eskalimit të dialogut.
“Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithësesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë’, shkruan Rama.
Kryeministri ndodhet në Bruksel ku do të takohet me Presidentin e KE-së, Charles Michel, ku sikurse ka njoftuar, do i përcjellë atij shqetësimet lidhur me situatën kritike në rajon dhe domosdoshmërinë për një konferencë pa afat kohor.
Sipas Ramës, Kryeministir i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç duhet të përmbyllin pikat e marrëveshjes së normalizimit.
“Sapo kemi mbërritur në Bruksel, ku pas pak do të takohem me Presidentin e Këshillit Europian, mikun e çmuar të Shqipërisë dhe rajonit tonë, Charles Michel. Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit. Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin. Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një “Donbasi” ballkanik mu në zemër të Europës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht”, shtoi Kryeministri.
Ky i fundit vuri theksin te de-eskalimi i menjëhershëm i situatës mes dy vendeve, ndërsa siguroi se Shqipëria do bëjë të pamundurën që paqja e brishtë e ndërtuar prej vitesh, në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe përmes nismash të ndryshme, të mos rrënohet si kështjellë rëre prej rikthimit të dallgës së marrëzisë ballkanike.
“Miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri, mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare.
Shqipëria do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë, sepse do të ishte një çmenduri që paqja e brishtë që kemi ndërtuar përgjatë këtyre viteve, në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe përmes nismash të ndryshme, të rrënohet si kështjellë rëre nga rikthimi i dallgës së marrëzisë ballkanike, duke na rihedhur të gjithëve jashtë rrugës së integrimit europian, në fuçinë e vjetër të barutit në mes të Europës”, theksoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




