Kryeministri Rama udhëton drejt Brukselit, do takohet me Presidentin e KE

Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë këtë të hënë (26 qershor) drejt Brukselit, ku do të takohet me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.
Tensionet mes Kosovës e Serbisë dhe gjetja e rrugës për normalizimin e dialogut Prishtinë-Beograd, pritet të jetë në fokus të takimit mes Ramës e Michel.
Udhëtimi i kreut të qeverisë në Bruksel vjen pas propozimit të draft-asociacionit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy Kosovës e Serbisë. Kujtojmë se më 8 qershor Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një draft Presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, si propozim për formimin e Asociacionit të komunave serbe.
Rama e konsideroi Asociacionin si “nyjën gordiane” të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, teksa shtoi se drafti është punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe europianë prej kohësh.
Sipas Ramës, drafti ishte dokument konfidencial dhe dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjitha rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Po ashtu, më 21 qershor, Rama u ka nisur sërish një letër Presidentit Emmanuel Macron, Kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe Presidentit të KE-së lidhur me domosdoshmërinë e një shtyse të re konkrete të Francës dhe Gjermanisë me mbështetjen e SHBA për zbatimin e këtij plani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




