Tabaku refuzon të bëhet kryetare e komanduar e PD-së, propozon një plan me 5 pika për riorganizim

Politikë | 3 vite më parë

Jorida Tabaku, refuzon të marrë postin e kryetares së komanduar të PD-së. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Tabaku, gjatë mbledhjes së kryesisë së PD-së.

“Kam vendosur që të mos e pranoj propozimin e z. Bardhi për drejtimin e komanduar të Partisë Demokratike. Por, sa kohë që jam këtu, dua t’i japim demokratëve një proces real, e një mundësi bashkimi që gjykoj është i rëndësishëm si dhe një proces riorganizimi për një forcë politike moderne.“- ka deklaruar Tabaku.

Ajo ka bërë të ditur se ky post i është ofruar edhe më parë nga ish- kryetari i PD-së, Lulzim Basha, por sërish është refuzuar nga ana e saj.

Paralelisht me refuzimin për tu bërë krytetrare e komanduar e PD-së, Tabaku, në mbledhjen e kryesisë, ka parashtruar edhe një plan të sajin për zgjidhjen e problematikave të ndeshura.

Ajo ka propozuar ngritjen e një grupi drejtues me 3 persona me eksperiencë të cilët do të çojnë Partinë Demokratike në zgjedhje nga poshtë-lartë.

Sipas saj, kjo duhet të përfshijë dhe një proces ri-anëtarësimi duke pasur parasysh situatën reale në të cilën ndodhet sot PD, pasi askush nuk  e di anëtarësinë reale të Partisë Demokratike.

“Propozoj hapjen e procesit të analizës dhe nisjen e një diskutimi me demokratët se ku dhe çfarë gabuam. E këtu kam fjalën një analizë reale politike me çdo kuti për të kuptuar potencialin e humbur dhe atë që mund të rifitojmë. Gjithashtu për të dhënë mundësi reale bashkimi në bazë përmes një proces reflektimi pasi ne nuk mund të jemi të hapur me disa; po bashkimi me të gjithë ato demokratë që për 10 vite janë lodhur duke qenë humbës, është e pafalshme dhe e padrejtë të përsërisim 6 marsin e 14 majin. Dixhitalizimin dhe modernizimin duke synuar shndërrimin e saj në kapilare nga një forcë politike elektorale që kemi qenë këto vite. Përhapjen e  Partisë Demokratike tek të rejat edhe të rinjtë duke rivitalizuar dhe rishikuar përmirësimin e strukturave si ajo e FRPD, LDG edhe jo vetëm.“- ka propozuar Tabaku.

Ajo ka propozuar caktimin e 12 drejtuesve për të 12 qarqet, të cilët do të fillojnë punën në terren dhe do të jenë në mbështetje të grupit drejtues të përkohshëm.

Tabaku ka kërkuar që të bihet dakord për një proces “që do të na bëjë nder ne, që të promovojmë njerëz të vjetër e të rinj me integritet, me meritokraci, pa skema e intriga, dhe do t’i japim kohë reale demokratëve të gjykojnë për të ardhmen“.

Sipas saj, mospjesëmarrja në zgjedhjet e 2019, largimi nga parlamenti, mos funksionimi si duhet në terren, angazhimi në revolucione dhe premtime që në fakt kishin synim ngritjen e moralit të bazës, sollën humbje të mëdha për PD-në.

“Fatkeqësisht, pas 2021 e shpenzuam kohën tonë për një betejë të brendshme, por kjo jo aq prej fajit tonë më shumë se sa një përgjigje hera- herës e padëshiruar ndaj atyre që mendonin se duke na fyer mund të fitonin. Por, sikundër dhe vërtetuan këto zgjedhje askush nuk e pëlqen një forcë politike që ulëret në kundërshti dhe nuk ofron dot një alternativë. E provuam disa herë këtë rrugën dhe rezultati qe katastrofik aq sa edhe Shkodra që duroi dhe në 2019, sot nuk është më e jona. Kësaj i shtohet dhe lufta e brendshme që na ka shpërbërë dhe shkërmoqur thuajse plotësisht. Mbase ia kemi dalë paq me këtë rezultatin kësaj radhe. Por, kjo nuk është garanci për të vazhduar po njësoj.”- theksoi Tabaku.

Propozimet e Tabakut

1.    Ngritjen e një grupi drejtues me 3 persona me eksperiencë të cilët do të çojnë Partinë Demokratike në zgjedhje nga poshtë-lartë. Kjo duhet të përfshijë dhe një proces ri-anëtarësimi duke pasur parasysh situatën reale në të cilën ndodhet sot PD. Sot askush nuk  e di anëtarësinë reale të Partisë Demokratike, dhe nuk pranoj dot të më thoni që anëtarësia është e plotë.

2.    Hapjen e procesit të analizës dhe nisjen e një diskutimi me demokratët se ku dhe çfarë gabuam. E këtu kam fjalën një analizë reale politike me çdo kuti për të kuptuar potencialin e humbur dhe atë që mund të rifitojmë. Gjithashtu për të dhënë mundësi reale bashkimi në bazë përmes një proces reflektimi pasi ne nuk mund të jemi të hapur me disa; po bashkimi me të gjithë ato demokratë që për 10 vite janë lodhur duke qenë humbës, është e pafalshme dhe e padrejtë të përsërisim 6 marsin e 14 majin.

3.    Dixhitalizimin dhe modernizimin duke synuar shndërrimin e saj në kapilare nga një forcë politike elektorale që kemi qenë këto vite. Përhapjen e  Partisë Demokratike tek të rejat edhe të rinjtë duke rivitalizuar dhe rishikuar përmirësimin e strukturave si ajo e FRPD, LDG edhe jo vetëm.

4.    Caktimin e 12 drejtuesve për të 12 qarqet të cilët do të fillojnë punën në terren dhe do të jenë në mbështetje të grupit drejtues të përkohshëm.

5.    Rënien dakord me një proces që do të na bëjë nder ne, që të promovojmë njerëz të vjetër e të rinj me integritet, me meritokraci, pa skema e intriga, dhe do t’i japim kohë reale demokratëve të gjykojnë për të ardhmen.

/rtsh.al/ a.m/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme