Burg për Fredi Belerin, Ministria e Jashtme greke: Vendim skandaloz, do ndikojë në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE

Politikë | 3 vite më parë

Vendimin e Gjykatës së Vlorës për lënien në burg të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri nën akuzën e korrupsioni aktiv në zgjedhje, është konsideruar si vendim skandaloz nga Ministria e Jashtme greke.

Në një deklaratë zyrtare, ministria e Jashtëm greke shprehet se arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie dy ditë para zgjedhjeve nuk është pjesë e një shteti ligjor nëse provat nuk janë bindëse.

Për ministrinë e Jashtme greke ky vendim do të ndikojë edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE, pasi sipas saj, respektimi i të drejtës së pakicave është pjesë e rrugëtimit dhe parimeve europaine.

“Vendimi i sotëm i gjykatës së Vlorës, nëse provat nuk janë bindëse, është skandaloz. Arrestimi i një kandidati për Kryetar Bashkie dy ditë para zgjedhjeve nuk përbën shtet ligjor. Vendimi për ndalimin e kandidatit për Kryetar Bashkie sjell një ndryshim të plotë të rregullave të barazisë në zgjedhjet bashkiake në Himarë, qendra më e rëndësishme e pakicës kombëtare greke në Shqipëri.

Një vendim i tillë do të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi kusht i kësaj rruge europiane është respektimi i rregullave europiane dhe parimeve të shtetit të së drejtës nga vendet kandidate. Vendime si ky i sotmi që shkelin parimet e mësipërme do të thotë se në praktikë Shqipëria nuk po ndjek rrugën europiane”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.

Ditën e sotme (13 maj) Gjykata e Vlorës la në burg Fredi Belerin, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, i cili u arrestua të premten (12 maj). Beleri akuzohet për blerje votash, ndërsa po ashtu Gjykata ka vendosur kalimin e dosjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme