Greqia e cilësoi skandaloze vendimin për burg të Belerit, Xhaçka: Përmbahuni, respektoni institucionet tona të pavarura

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka e ka konsideruar të pakuptueshme se si një vend tjetër mund të ndërhyjë dhe kundërshtojë vendimin e një gjykatë të një vendi tjetër.
Duke komentuar deklaratën e Greqisë lidhur me lënien në burg të Fredi Beleri nga Gjykata e Vlorës, Xhaçka thotë se ai dhe çdo njeri tjetër janë të barabartë para ligjit dhe se do të përgjigjen për aktivitetet e tyre kriminale, kur provat janë bindëse.
Teksa i bën thirrje Greqisë të përmbahet nga deklarata të tilla, Xhaçka tha se ata duhet të respektojnë institucionet e pavarura të Shqipërisë.
“Është thuajse e pamundur të kuptohet se si Greqia, miqtë tanë kanë të drejtë të kundërshtojnë një vendim gjykate në vendin tonë, kur provat e forta që ata kërkonin nuk mund të ishin më bindëse, Fredi Beleri është kapur duke u përfshirë në aktivitet kriminal kundër mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Nuk e kuptojmë se si pasja e një kombësie greke e përjashton atë nga ligji si shtetas i Shqipërisë. Ne u bëjmë thirrje miqve tanë grekë të përmbahen nga deklaratat që nuk respektojnë institucionet e pavarura të vendit tonë”, shkruan Xhaçka.
Ministria e Jashtme greke e ka konsideruar vendim skandaloz lënien në burg të Fredi Belerit. Për ministrinë e Jashtme greke ky vendim do të ndikojë edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE, pasi sipas saj, respektimi i të drejtës së pakicave është pjesë e rrugëtimit dhe parimeve europaine.
Ditën e sotme (13 maj) Gjykata e Vlorës la në burg Fredi Belerin, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, i cili u arrestua të premten (12 maj). Beleri akuzohet për blerje votash, ndërsa po ashtu Gjykata ka vendosur kalimin e dosjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




