“Bashkë Fitojmë” mbyll fushatën/ Berisha: 14 maji, vendimtar. Meta: Rama humb Durrësin dhe Tiranën

Politikë | 3 vite më parë

Në fushatën përmbyllëse për Tiranën, ku garon Belind Këlliçi në radhët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, kreu i grupit të “Rithemelimit”, Sali Berisha ka deklaruar e vota e 14 majit është vendimtare për fatin e Shqipërisë.

“Në këtë situatë, kjo fushatë dhe votimi i 14 majit kanë një rëndësi jetike, kanë një rëndësi vendimtare për fatin e Shqipërisë, për fatin e shqiptarëve.

Mesazhi im është i njëjtë për çdo socialist shqiptar: unë u them sonte se 14 maji është një ditë shpëtimi për ju.

Votoni kandidatët e primareve, votoni koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’, votoni njishin që të fitoni PS-në e uzurpuar nga një bandë kriminale, e cila ju paraqet ju ashtu siç nuk jeni. Nuk jeni ju njerëzit e krimit, nuk jeni ju njerëzit e mafias, por ju besoni në demokraci dhe vlerat e saj.

Mesazhi im sonte është për të gjithë shqiptarët pa parti. Hidhni mënjanë indiferencën. Ajo është fatale për ju dhe Shqipërinë. 10 vite dimër, 10 vite ngricë, 10 vite largim masiv i shqiptarëve, 10 vite varfëri, asnjë nuk duhet të qëndrojë indifference”, u shpreh Berisha.

Ai ka kërkuar që kryeqytetasit të votojnë për Belind Këlliçin për të ndryshuar fytyrën e Tiranës.

“Më 14 maji të votojë njishin, të votojë koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’, të votojë Belind Këlliçin, të votojë kandidatët e primareve.

Këtu para jush do i them Edi Ramës: mbaje mend se mund të vjedhësh ndonjë votë në lumin që rrjedh, por lumin nuk e vjedh dot. Rryma e fitores do të marrë përpara, do të çojë atje ku e meriton.

Edi Rama, hiq dorë se populli është në këmbë se shqiptarët sot janë më krenarë se kurrë, janë më të vendosur se kurrë të mbrojnë liritë e tyre”, theksoi Berisha.

Ndërkaq, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpreh se Rama do t’i humbasë dy bashkitë më të mëdha që është zotuar të fitojë, Tiranën dhe Durrësin.

“Sa i takon Edi Ramës duhet ta falenderojmë vetëm për një shaka që na tha gjatë kësaj fushate që ai do të fitonte në Shkodër. Në 15 Maj do të dhurojmë një palë dylbi të shikosh nga Surreli bashkinë e Tiranës dhe Durrësit. Shkodrën, Korçën, Kuçovën, Sarandën shikoji nga satelitët që ke ngritur në qiell”, tha Meta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme