“BF” mbyll fushatën në Elbasan, Berisha: Votoni Boçin, intelektualin që ka hartuar projektin e një qyteti ndryshe

Politikë | 3 vite më parë

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka mbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit në qytetin e Elbasanit, ku të pranishëm ishin kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, kandidati për kryebashkiak, Luçiano Boçi, si dhe anëtarë e simpatizantë të këtij koalcioni.

Berisha, në fjalën e tij, u bëri thirrje qytetarëve që orët e fundit, deri të dielën, të shërbejnë si moment reflektimi, duke votuar Luçiano Boçin.

“Sa herë në dyqane rëndohemi nga çmimet gjithnjë në rritje, për listat e gjata që zgjaten e bëhen tërkuzë, sepse shumë bashkëqytetarë tanët nuk kanë me se paguajnë ushqimin e përditshëm. Ju ftoj të votoni ndryshimin më 14 maj. Rama këtë fushatë e mbuloi me tallje për qytetarët, me sharje për kundërshtarët, me tallava për gaztorët. Le të mendojmë për shqiptarët e larguar të detyruar nga papunësia, mospasja, dhunimet e lirive e të të drejtave. Ju e keni të qartë se si dhjetëra mijëra qytetarë u arrestuan për faturat e dritave.”- theksoi Berisha.

Sipas tij, Rama u angazhua në një luftë të egër kundër opozitës dhe bëri gjithçka që të dhunojë e shkelmojë votën, pasi emisarët e tij, sipas Berishës,  “janë shpërndarë si hiena e me para po blejnë vota”.

“Kjo blerje votash konvertohet në pushtetin e një njeriu, i solli çdo familjeje shqiptare një fatkeqësi të madhe që është varfëria në rritje. Të votojmë Luçiano Boçin, intelektualin e shquar që ka hartuar projektin e një Elbasani ndryshe, qytet dinjitoz për qytetarët e tij”,- tha Berisha.

Boçi: Fitorja jonë krijon horizonte të reja për demokracinë

Ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi, deklaroi prej të dielës, bashkia do të hapet për qytetarët dhe se vendimmarrja do jetë në duart e tyre.

Boçi nënvizoi se gjatë fushatës njerëzit nuk i janë ankuar se nuk kanë ku t’i japin Ferrarit, por janë ankuar për rrugët, ndotjen, ujërat e zeza, shkollat e kopshtet etj.

“Bashkëbisedimi ynë sapo ka filluar. Prej të dielës bashkia do hapet për qytetarët e saj. Fitorja jonë krijon horizonte të reja për demokracinë. Prej javës tjetër vendimmarrja është prona juaj si kurrë më parë. Kjo qeveria ju ka zhvlerësuar trojet dhe ju ka vjedhur cilësinë e jetës duke u varfëruar deri në dëshpërim. Mijëra më folën për rrugët e pashtruara. Askush nuk u ankua se nuk ka ku t’i japë Ferrarit. Rrugët janë të shkatërruara, ndotja nga inceneratori është e madhe. Ujërat e zeza mbulojnë lagjet. Qindra prindër m’u ankuan për shkollat e kopshtet. Zgjidhja jonë nis te bashkimi i qytetarëve, socialistë apo demokratë. Deri sot shqiptarët e kanë përballuar krizën duke u larguar nga vendi. Unë besoj se mund t’i zgjidhim problemet tona sot në Elbasanin tonë. Administrata e Elbasanit mund të votojë e lirë sepse vota është e fshehtë dhe e pa cënuar. Votimi elektronik është më i sigurt se çdo model i mëparshëm votimi ”,- deklaroi Boçi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme