Berisha mbyll fushatën në Shkodër: Votoni Bardh Spahinë, Benet Beci të tërhiqet nga gara

Kreu i grupit të “Rithemelimit”, në Partinë Demokratike, Sali Berisha ka mbyllur fushatën elektorale në qytetin e Shkodrës ku rikandidon Bardh Spahia për koalicionin “Bashkë Fitojmë”.
Gjatë takimit përmbyllës, Berisha ka deklaruar se Bardh Spahia bëri gjithçka për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve të Shkodrës.
“Të votoni njeriun, që gjatë një periudhe të shkurtër që qeverisi, bëri gjithçka për të përmirësuar shërbimet, për të përdorur me transparencë të gjitha burimet e mundshme, bëri gjithçka për të ruajtur dhe mbrojtur dinjitetin e Shkodrës, emrin e saj të madh”, theksoi Berisha.
Ai është përgjigjur edhe një komenti të kandidatit të majtë për bashkinë e Lezhës, Pjerin Ndreu që sipas Berishës, kishte shkruar; po vijnë talebanët, duke nënkuptuar demokratët.
“Më 14 maj, ju votoni për Këshillin Bashkiak, por Bardh Spahisë duhet t’i njohim një meritë tjetër. Unë po vij nga Lezha, rrugës shoh që Pjerini kishte shkruar: po vijnë talebanët.
M’u kujtua Bardh Spahia që qeverisi me një këshill socialist dhe nuk i cilësoi kundërshtarët si talebanë, por i cilësoi si njerëz me të cilët duhet të negocionte, të bënte edhe kompromise, në mënyrë që bashkia të mbetej e të gjithë qytetarëve të Shkodrës”, tha Berisha.
Sipas Berishës, Bardh Spahia ka dhënë prova se ka qenë jo vetëm afër demokratëve, por edhe pranë socialistëve të Shkodrës. Ai i ka bërë thirrje kandidatit të Ramës, Benet Beci që të tërhiqet nga gara për kreun e bashkisë së Shkodrës.
“Bardh Spahia ka dhënë një provë të madhe dhe unë i garantoj socialistët e Shkodrës se Bardh Spahia është dhjetë herë më afër atyre se Benet Beci që përfaqëson Edi Ramën.
Ndaj qytetarët e Shkodrës duhet të votojnë për Bardh Spahinë.
Po ia them sërish dy fjalë Benet Becit: ke edhe 48 orë, tërhiqu të të mbetet pak nder.
Të ftosh shkodranët që të votojnë për flamurin e Edi Ramës, do të mbetet peng gjithë jetën tënde”, ka nënvizuar Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




