Një ditë me Emiriana Sakon, kryebashkiakja që kërkon rikonfirmimin në Durrës

Emiriana Sako pretendon të fitojë mandatin e dytë në krye të Bashkisë së Durrësit.
Zonja Sako dha një intervistë për rrjetin e RTSH-së ku tregoi disa nga ambiciet e saj për zhvillimin e qytetit bregdetar.
Pse duhet të të votojnë durrësakët më 14 maj?
Emiriana Sako: Duhet të na votojnë sepse kemi një bagazh punësh që e tërheqim nga pas. Kemi bilanc shumë të mirë me programin e rindërtimit. Kemi bilanc me pastrimin e qytetit, kemi mbjellë 3600 pemë në qytetin tonë. Por mbi të gjitha, kryefjala është rindërtimi dhe strehimi i familjeve.
A ka më plagë, Durrësi që u godit nga tërmeti shkatërrimtar i 2019-s?
Emiriana Sako: Durrësi ka një bilanc të realizuar. Janë përfunduar 744 banesa në njësi administrative dhe në apartamente në qytetin e Durrësit. Banesat në të cilat sot jetojnë banorët që humbën shtëpitë e tyre gjatë tërmetit të 26 nëntorit. Kemi përfunduar 18 godina arsimore me programin e rindërtimit, këtu fusim kopshtet, çerdhet, të cilat një pjesë janë rikonstruar dhe një pjesë janë rindërtuar nga e para.
A ka gjëra që nuk i ke bërë deri më tani për Durrësin dhe gjëra që mendon se mund t’i realizosh gjatë viteve që vijnë?
Emiriana Sako: Sigurisht që objektivi kryesor është mbyllja e programit të rindërtimit dhe strehimit të të gjitha familjeve që janë ende në pritje. Ne po ndërtojmë lagjen e re të rindërtimit në zonën e Spitallës. Ne aty do të shpërdajmë apartamentet e para. Janë 996 apartamente që do të vendosen në shërbim të familjeve që mbetën të pastreha.
A ke frikë nga përballja me një kandidat të opozitës për të cilin të dyja rrymat e opozitës janë bashkë?
Emiriana Sako: Për të saktësuar në 6 mars kanë qenë dy kandidatë. Kësaj here jemi ballë për ballë dy individë me forca të ndryshme politike. Unë betejën e kam me qytetarët e Durrësit siç e përmenda. Kam nevojë të fitoj besimin e tyre dhe të marr mbështetjen e tyre në këto zgjedhje. Nuk jam marrë me kandidatin apo me ato që ai flet apo propozon. Por objektivi im është komunikimi dhe platforma që kam dhe risjellja në vëmendje e punës së realizuar.
Si e shikon Durrës 10 vite më pas, duke pasur parasysh edhe disa projekte që ka nisur qeveria, si dhe ka pasur akuza nga opozita lidhur me këto projekte që priten për Durrësin?
Emiriana Sako: Durrësi ka hapur një kapitull të ri pas tërmetit të nëntorit duke qenë se ne patëm një mbështetje të madhe nga qeveria për këtë program. Por nga ana tjetër patëm edhe një vizion për transformimin e këtij qyteti, duke filluar që nga tërheqja e depozitimeve në Porto Romano. Sot kemi një park shumë të rëndësishëm me fusha dhe terrene sportive. Kemi edhe projekte të infrastrukturës detare siç janë portet Marina dhe porti tregtar i Porto Romanos, janë dy projekte ambicioze të qeverisë shqiptare por që përfitues do të jenë qytetarët e Durrësit. Një projekt tjetër është hapja e plotë e arenës së Amfiteatrit.
A keni ju një plan për ta bërë tërheqës Durrësin, edhe nga pikëpamja e sipërmarrjes dhe të vendeve të punës që të rinjtë të mos ikin nga Durrësi edhe pse Tiranën e kanë shumë afër?
Emiriana Sako: Në programin tonë të rinjtë përfshihen në disa programe që ndërthuren me njëri-tjetrin. Së pari, realizimi në këto projekete madhore që ne kemi për infrastrukturën portuale apo edhe të monumenteve të kulturës do të bëjë të mundur që të rinjtë që janë në shkolla profesionale të jenë të parët ata që të japin shërbimin në sektorin e detarisë apo edhe në sektorin e turizmit. Kemi ngritur komplekse sportive ku do t’i japim prioritet sportit.
A ke një mesazh për shtresën gri, për ata të cilët janë të pavendosur ?
Emiriana Sako: Unë i ftoj të gjithë qytetarët të mbështesin Partinë Socialiste. Ne jemi forca që e ka transformuar atë dhe do ta transformojë atë.
Sa ka ndikuar në familje, angazhimi yt në politikë?
Emiriana Sako: Është një kompromis i madh i kohës së punës me atë të familjes. Kam dy djem binjakë që duan shumë angazhim, sigurisht kompromisi është i madh por në këtë moment i kemi dhënë prioritet drejtimit të qytetit dhe uroj që fëmijët e mi ta kuptojnë këtë.
Gazetare: Sonila Agostini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




