Ambasadori amerikan Eric Wendt prezanton prioritetet në Shqipëri: Mbrojtja, investimet dhe lufta kundër krimit

Politikë | 19 minuta më parë

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka përcjellë një videomesazh në rrjetin social X, ku ka prezantuar prioritetet e tij gjatë mandatit diplomatik në Tiranë, duke vënë theksin te forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe sigurisë. Në mesazhin e tij të parë, Wendt falënderoi presidentin Donald Trump dhe sekretarin e Shtetit Marco Rubio për besimin, si dhe popullin shqiptar për mikpritjen. Ai kujtoi edhe përvojën e mëparshme në Shqipëri, gjatë shërbimit ushtarak së bashku me Forcat Speciale shqiptare, duke vlerësuar mikpritjen dhe karakterin e qytetarëve shqiptarë.

“Ndërsa nis detyrën si Ambasador i SHBA-së në Shqipëri, dëshiroj t’ju shpreh falënderimet Presidentit Trump dhe Sekretarit Rubio për besimin e tyre. Gjithashtu dua të falënderoj popullin e Shqipërisë për mikpritjen e ngrohtë. Gjatë shërbimit tim të mëparshëm ushtarak së bashku me Forcat Speciale të Shqipërisë, si dhe gjatë udhëtimit tim të mëparshëm nëpër Shqipëri, kam përjetuar nga afër se shqiptarët janë një popull jashtëzakonisht mikpritës, punëtorë dhe krenarë”, deklaroi Wendt.

Ambasadori bëri të ditur se gjatë muajve të ardhshëm, Ambasada Amerikane do të zhvillojë një proces vlerësimi për të përcaktuar drejtimet e bashkëpunimit mes dy vendeve. Në kuadër të këtij procesi, Wendt paralajmëroi vizita në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe takime me përfaqësues të institucioneve, politikës, ushtrisë, biznesit dhe sistemit të drejtësisë.

“Gjatë muajve të ardhshëm nën drejtimin tim si Ambasador, Ambasada e SHBA-së do të zhvillojë një proces vlerësimi që do të ndihmojë në formësimin e rrugës sonë përpara. Si pjesë e këtij vlerësimi, pres me padurim të udhëtoj në vende të ndryshme në Shqipëri. Siç është praktika standarde diplomatike, unë do të marr pjesë në takime të shumta me udhëheqësit e ndryshëm politikë që ju keni zgjedhur, si dhe me zyrtarët tuaj të qeverisë, udhëheqësit ushtarakë, udhëheqësit e bizneseve, drejtuesit ligjorë dhe udhëheqës të tjerë”, u shpreh ambasadori.

Wendt identifikoi tri fusha kryesore ku synon të përqendrojë bashkëpunimin gjatë mandatit të tij: forcimin e mbrojtjes, rritjen e prosperitetit ekonomik dhe garantimin e sigurisë.

“E para është rritja më e fortë. Ne rritemi më fort ndërsa ndërtojmë aftësi të vërteta mbrojtëse dhe mbajmë peshën tonë të drejtë si aleatë. E dyta është rritja drejt më shumë prosperitetit. Ne do të gjejmë mënyra për të rritur tregtinë, investimet dhe mundësitë me përfitim të ndërsjellë për amerikanët dhe shqiptarët. E treta është rritja e sigurisë. Ne do të punojmë së bashku kundër krimit transnacional dhe për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta”, deklaroi ambasadori amerikan.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët amerikanë dhe shqiptarë, me synimin për të identifikuar mënyra të reja bashkëpunimi.

“Së bashku do të diskutojmë si mënyrat e vjetra ashtu edhe mënyrat e reja e krijuese se si mund të punojmë së bashku në mënyrë efektive në të ardhmen”, u shpreh Wendt.

Ambasadori shprehu vlerësimin për historinë dhe mikpritjen shqiptare, duke nënvizuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ndërsa kryejmë këtë vlerësim gjatë muajve të ardhshëm dhe zhvillojmë këtë rrugë më të fortë, më të begatë dhe më të sigurt përpara, unë gjithashtu pres me padurim të mësoj më shumë rreth popullit të Shqipërisë, më shumë rreth historisë suaj krenare, dhe të përjetoj edhe një herë personalisht mikpritjen tuaj legjendare. Në të vërtetë ndihem i nderuar dhe i bekuar që mund të shërbej në Shqipëri si Ambasador i Shteteve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ndajnë një histori të fuqishme, miqësi dhe respekt të thellë të ndërsjellë. Së bashku, mund t’i realizojmë gjërat realisht. Ne ecim së bashku. Shkojmë së bashku”, theksoi ambasadori.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme