Belind Këlliçi prezanton Tiranën Inteligjente

Politikë | 4 vite më parë

 

Shërbimet në dorën e qytetarit, në një celular. Në thelb ky është projekti i kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi të cilin ai e prezantoi të enjten.

Ky aplikacion do të vijë në ndihmë të qytetarëve, me informacione të bollshme, në shumë drejtime. 

Çdo shërbim do të jetë funksional dhe në telefonin celular të çdo përdoruesi. 

Ai do të përfshijë oraret e mbërritjes së autobuzëve, hapësirat boshe në parkingje, aktivitetet që ndodhin në qytet, si dhe të dhëna për vizitorët e kryeqytetit.

Këtë risi, Belind Këlliçi e prezantoi së bashku me ekspertin e fushës, Gent Progni, që është dhe pjesë e ekipit të kandidatit për Bashkinë e Tiranës.

“Me zhvillimet më të reja në Inteligjencën Artificiale bota po ndryshon në mënyra të paimagjinueshme dhe shumë shpejt. Për të ndjekur hapin e kohës, në projektin tim për Tiranën Inteligjente, TI Tirana, teknologjia do të vihet në përdorimin më të mirë për të krijuar një mjedis urban modern, duke u përqendruar tek ti dhe nevojat e tua të përditshme”, u shpreh zoti Këlliçi.

“Në qendër të këtij plani është trafiku, që do të jetë më i lehtë dhe i menaxhueshëm me zbatimin e aplikacionit TI Tirana. Urbanin do ndjekësh lehtësisht nga celulari, për të parë se ku gjendet dhe kur mbërrin. Stacionet do të kenë të dhëna bazike dhe pika karikimi. Udhëzuesit për përdorimin e linjave, si dhe informacionet turistike do të jenë të gjitha në dorën e kujtdo që ka një celular”, vijoi ai.

“Nëse je shofer, ky aplikacion do ta mundësojë të dallosh parkingjet e lira dhe ta prenotosh vendin para se të arrish. Ata që kanë parkingje private, do të mund t’i japin në përdorim sa herë që i kanë të lira dhe të përfitojnë nga kjo. Ata që kanë makina elektrike, do kenë më shumë pika karikimi”, tha Këlliçi.

“Semaforët inteligjentë do të vihen në punë që t’i përshtaten mbingarkesës, duke e shfryrë trafikun. Koshat e mbeturinave përmes sensorëve do të ndihmojnë për një mjedis më të pastër. Me Tiranën Inteligjente, interneti do të jetë falas në të gjitha hapësirat publike dhe vende të caktuara do kenë informacione shtesë si për turistët, ashtu dhe për banorët”, u shpreh ai.

“Jam i përkushtuar që bashkia ta ndërthurë teknologjinë maksimalisht me mjedisin urban, që TI të kesh në dorën tënde qytetin, eksperiencat më të mira dhe jetën më të lehtë, në një ambient shumë më të pastër, të qetë dhe të rregullt”, u shpreh kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme