Berisha në Delvinë e Dropull: Ta shndërrojmë fushatën zgjedhore në fushatën e shpresës!

Kreu i grupimit të Rithemelimit Sali Berisha, bërë thirrje të dielën për ta kthyer fushatën zgjedhore në shpresë për fitoren e koalicionit “Bashkë fitojmë”, ndërsa tha se kryeministri socialist Edi Rama ka frikë nga ballfaqimi.
Gjatë prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Bashkinë e Delvinës dhe asaj të Dropullit, zoti Berisha ftoi zgjedhësit ta shndërrojnë fushatën zgjedhore në fushatën e shpresës për popullin shqiptar”.
Ai tha se kryeministri Edi Rama, njeriu që ka shpenzuar 22 milion euro për udhëtimet me çarter, tani ka marrë lopatën në dorë që të duket si njeri i thjeshtë.
Zoti Berisha tha se kreu socialist dhe kryeministri Rama bëri gjithçka për të asgjesuar përkrahësit e opozitës si pjesëmarrës në zgjedhje, por tashmë është tmerruar.
Ai tha se Rama tashmë ka frikë nga ballafaqimi. “Një mashtrues ordiner kurrë nuk duhet të ju mashtrojë më” tha zoti Berisha.
Ai kujtoi se në vitin 2012 kur ai ishte në pushtet inauguroi ujësjellësin e Tepelenës i cili sillte ujë 24 orë. Por që nga ajo kohë e deri tani pushtetarët socialistë nuk kishin shtruar asnjë tubacion. “Një investim i mrekullueshëm që ishte bërë, asnjë përfitim qytetarët e Tepelenës. Sigurisht sepse këta nuk kanë në qendër qytetarin, punësimin, hallet, dertet e tij, këta kanë vetëm interesa të pasurimit të tyre”, tha gjatë fjalës së tij, kreu i grupimit të Rithemelimit Sali Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin Rama se u ngriu shqiptarëve rrogat për 10 vite, duke i bërë ata të shtrëngohen nga dara e varfërisë. “Rrogat u ngrinë miqtë e mi, por çmimet nuk u ngrinë. Çmimet u ngritën, u ngritën dhe vetëm me rritjen e çmimeve nga viti 2021-2022, secili nga ju ka shpenzuar për ushqime 430 mijë lekë më shumë. Pra ka shpenzuar dy pensione më shumë, një rrogë më shumë” tha zoti Berisha.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




