Rama premton të sjellë “Grand Premium” i Formula 1 në Elbasan, Llatja: Ka nisur puna për projektimin e By Pass të Elbasanit

Fushata e Partisë Socialiste ka vijuar sot në Elbasan. Kryeministri Edi Rama tregoi mbështetjen për kandidatin socialist Gledian Llatja duke thënë se Elbasani e ka gjetur njeriun e duhur.
Ndërsa foli për Automotoparkun e parë shqiptar premtoi se deri në vitin 2030 në këtë qytet do të bëhet e mundur “Grand Premium” e Formula Unos.
Teksa ka prezantuar kandidatin për bashkinë e Elbasanit, Gledian Llatja, Rama ka theksuar kjo është një industri krejt e re për sportin që ka ndikim edhe në ekonomi.
“Mbajeni mend. Do të sjellim “Grand Premium” e Formula Unos në Elbasan deri në vitin 2030.
Do të sjellim kulmin e një industrie komplet të re të sportit, që lidhet me një mijë gjëra të tjera dhe të gjitha me ekonominë.
Nuk është fjalë vetëm për një garë që ka 1 miliardë shikues. Ne nuk po e ndërtojmë cirkuidin e Elbasanit vetëm, as si kinostudion e Luçit që më kujton Lulin, artist i madh por ka një ndryshim se “është më bosh se luli”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, ky projekt do të realizohet me një nga konsulentët më të mëdhenj në botë.
“Po e ndërtojmë me një nga konsulentët më të mëdhenj në botë, ish-pilot i Formula Unos. Ka famë të madhe në Europë sepse ka ndërtuar një sistem komplet të ri për sigurinë rrugore në Austri.
Këtu në Elbasan do të vijë gjithë dynjaja. Atë që kemi filluar me eduikimin e sigurisë rrugore tek fëmijët do e ngremë në nivel europianë”, ka theksuar Rama gjatë takimit me qytetarët e Elbasanit.
Më tej Rama pati takim informuese me përfaqësues të biznesit për rritjen e pagës minimale dhe për ta bërë tregun më tërheqës dhe krahun e punës më të mirëpaguar. Gjithashtu inspektoi nga afër kantierin e Automotoparkut, cirkuiti i parë motosportiv shqiptar që po jetësohet në terren, përbri lumit Shkumbin, në zonën e Krastës së Elbasanit.
“Në total ndërtohen rreth 4 km mbrojtje lumore dhe 2.8 km rrugë të reja për aksesin e auto-motoparkut. Do të krijohet një hapësirë prej 50 hektarësh për ndërtimin e auto-motoparkut. Besojmë se brenda verës përfundojnë punimet. Aktualisht jemi këtu. kjo është pjesa e mbrojtjes lumore e cila është ndërtuar. Këtu është sipërfaqja e krijuar për ndërtimin e Automotoparkut. Këtu është fusha e vjetër e mbetjeve të Elbasanit. Ky është projekti i ri. Momenalisht jemi te rruga lidhëse. Këtu do bëhet ura e Byshekut që është ura e Byshekut që kalon nga krahu tjetër që na lidh me bypassin e Elbasanit që është një premtim nga ministria e Infrastrukturës. Këtu është fusha e vjetër e mbetjeve dhe hyrja që do të bëhet në qytet.” – detajoi drejtuesi i punimeve.
Investimi për Automotoparkun përfshin edhe kompleksin e ri të DRSHTRR Elbasan me Qendrën e re të Kontrollit Teknik (kolaudimi), dedikuar shërbimeve të transportit rrugor.
By Pass i Elbasanit
Gjatë takimit me qytetarët, Gledian Llatja kërkoi një mandat tjetër në krye të këtij qyteti për të vijuar ndërhyrjet dhe punëb e qytetit.
– Kemi rikonstruktuar 6 shkolla. Do të ndërhyjmë në 27 shkolla në mënyrë të vazhdueshme.
-Vazhdojmë ndërhyrjen e plotë në spitalin rajonal të Elbasanit
-Siç po bëjmë ndërhyrje në poliklinikën qëndrore do të ndërhyjmë në të gjitha ambulancat e Elbasanit.
-Bashkë me kryeministrin kemi nisur punën për projektimin e By Pass të Elbasanit.
-Po bëjmë 5 km shëtitore të re buzë lumit Shkumbin. Automotoparku, po kthehet në realitet.
-Po nisim një investim prej 16 milionë eurosh bashkë me qeverinë për përmirësimin rrënjësor të sistemit të kanalizimeve dhe ujit të pijshëm. Kemi gati 100 mijë metra katrorë asfalt që po bëjmë çdo vit.
-Po investojmë në Gjinar për ta bërë destinacion turistik. Po investojmë në Funar për sportet e natyrës. Po investojmë në Tregan.
Përballë Glendian Llatja në zgjedhjet për kryetar të bashkisë së Elbasanit kandidon Luçiano Boçi i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




