Bejko takim me kandidatët e PD për këshillin bashkiak të Tiranës: Personalitete të së djathtës

Politikë | 4 vite më parë

Votimi për këshilltarët bashkiakë të PD-së në zgjedhjet e 14 majit 2023, ka qenë kryefjala e e një takimi që kandidati demokrat, Roland Bejko, zhvilloi të nominuarit në listë.

Sipas tij, anëtarë e këshillit të bashkisë përfaqësojnë jo thjesht vullnetin e qytetarëve, por për çështje të caktuara të karakterit politik, përcaktojnë edhe politikat e forcës politike nga e cila ata janë zgjedhur.

“Më e mira do të ishte që të mos bëhej me lista të mbyllura nga partitë. Nëse listat do të ishin të hapura këshilltarët do të ishin në terren më fort sesa vetë kandidati për kryetar. Por jemi në realitetin ku listat i bën partia. Në këto kushte ne do të operojmë, që ta bëjmë sa më të mundur aksesin e qytetarëve“- tha Bejko.

Sipas tij, lista e këshilltarëve bashkiakë përbëhet nga personalitete me kontribut të madh në Partinë Demokratike, duke mbartur vlerat e së djathtës.

“E kam për nder që në krahun tim të kem një pedagoge si Enriketa Papa, e cila ka studiuar jashtë në krye të listës sa u përket zonjave. Jemi në situatë të vështirë si Parti Demokratike, sepse mbi ne është hedhur goxha baltë gjatë kësaj periudhe, prej gati një viti e gjysmë dhe sot vazhdon që të ushtrohet ky lloj presioni ndaj atyre që përfaqësojnë Partinë Demokratike, si në nivel qendror ashtu dhe në çdo lagje”- tha Bejko.

Sipas tij, ata të cilët janë mërzitur me Erion Veliajn, por edhe ata të cilët nuk duan marrjen e bashkisë nga ana e Sali Berishës dhe Ilir Metës, e kanë rrugën e zgjidhjes mbi tavolinë, e kanë në kutinë e votimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme