14 maji/ Mediu takon Glover, denoncon “Aktivisti”: Vëzhgoni me kujdes zgjedhjet në Tiranë, Durrës, Shkodër e Elbasan

Në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit, shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR, Audrey Glover ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe kryetarin e Komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeajn. Më pas Glover do të takohet edhe me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizin.
Gjatë takimit, Mediu ka shprehur shqetësimin e dështimit të reformës zgjedhore për shkak të mungesës së vullneti politik, ndërsa ka renditur edhe disa nga problematikat, që sipas tij, po ndodhin për zgjedhjet e 14 majit.
Mediu akuzoi PS se po përdor pushtetin duke shfrytëzuar për qëllime elektorale administratën zgjedhore dhe buxhetin e shtetit.
Gjithashtu Mediu tha se po u bëhet presion votuesve përmes aplikacioni “aktivisti”.
“1.Për shkak të mungesës së vullnetit politik është ndërprerë dhe ka dështuar reforma zgjedhore përpara zgjedhjeve lokale të 14 Majit, ndonëse nga shumë faktorë politik dhe civilë janë propozuar në kohë për diskutim dhe vendimmarrje drafte me rëndësi..
2.Njësimi i Partisë Socialiste me shtetin dhe përdorimi i shtetit dhe administratës publike për zgjedhje është flagrant duke ushtruar presion për të votuar mazhorancën, shoqëruar me tërheqjen e kartave të identitetit apo blerja e votës.
3.Përdorimi i aplikacionit ” aktivisti” është po ashtu në shkelje të ligjit si vazhdim i praktikës së “patronazhistit” denoncuar tashmë nga OSBE/ODHIR në zgjedhjet fundit.
4.Përdorimi abuziv i fondeve të buxhetit për fushatë elektorale për ngritje pagash apo pensionesh për qëllime elektorale.
5- Zhvendosja e votuesve në qendra të ndryshme përpara zgjedhjeve duke krijuar konfuzion tek votuesit.
6-Kontrolli mbi mediat dhe hapësirat publike për propagandimin e fushatës ku çdo hapësirë private publike është bllokuar nga pushteti.
7-Rritja gati dyfish i numrit të punonjësve në mënyrë abuzive në bashki dhe institucionet shtetërore për fushatë elektorale.
8- Pengimi me urdhër nga Ministritë përkatëse i pedagogëve dhe arsimtarëve për të kandiduar për këshillat bashkiak në shkelje të Kushtetutës”, thuhet në deklaratën për median e zyrës së PR-së.
Mediu gjithashtu i kërkoi Ambasadores Glover prezencë sa më të madhe të tyre në monitorim dhe me një përqendrim sa më të madh në zonat zgjedhore më problematike si Elbasani, Durrësi, Tirana, Shkodra.
Aktualisht Glover po zhvillon një takim me kryetarin e komanduar të PD Enkelejd Alibeaj.
Pak dite më parë Glover takoi kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe Sali Berishën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



