Kosova pjesë e Serbisë në hartë/ Rama: Spanja nuk e njeh si shtet, ne s’jemi Irani të kontrollojmë prezantimet

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi arsyen e përfshirjes së Kosovës si pjesë e Serbisë në hartë gjatë konventës mbi turizmin. Përmes një postimi në Twitter, kryeministri Rama shkruan se Spanja nuk e njeh Kosovën dhe si e tillë edhe harta ka qenë e vendosur në atë mënyrë.
Sipas Ramës, Shqipëria s’është Irani ku të ftuarve në konferenca ndërkombëtare u kontrollohen prezantimet.
“Kinse patriotët kanë gjetur punë sot duke u marrë me një hartë të prezantimit të presidentit të gjigandit spanjoll Melia Group në konventën e turizmit, ku mungonte Kosova!
Dihet që Spanja ashtu e ka hartën e rajonit po asgjë e keqe s’i erdhi kombit nga dalja 1 minutë e asaj harte!
Shqipëria s’është Irani ku të ftuarve në konferenca ndërkombëtare u kontrollohen prezantimet dhe as konventa s’ishte sheshbeteja diplomatike për njohjen e Kosovës nga Spanja!
E keqja kombit tonë i vjen bash nga ata që merren tërë ditën me kësi luftrash pa lidhje mes shqiptarësh!”, shkruan Rama në Twitter.

Shfaqja e hartës, ku Kosova rezultonte pjesë e Serbisë ndodhi ditën e djeshme në Tiranë kur Shqipëria bashkëorganizoi për herë të parë në Ballkan, Konventën Ndërkombëtare të Turizmit bashkë me Organizatën Botërore të Turizmit.
Gjatë zhvillimit të këtij organizimi është shfaqur edhe harta e shtetit të Kosovës si pjesë e Serbisë, ku në panelin e folësve ishte prezente edhe vetë ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




