Raporti i DASH/ Rithemelimi kërkesë për mocion me debat, Balla: Nuk hezitojmë, reflektuat duke hequr firmën e ‘non gratës”

Politikë | 4 vite më parë

Rithemelimi kërkoi në seancë plenare ndryshimin e rendit të ditës dhe zhvillimin e një mocioni me debat për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Kërkesa u artikulua nga deputeti Luçiano Boçi, ndërsa u kërkua dhe hedhja e kësaj kërkese me votë. Boçi u shpreh se raporti i DASH është një nga më të rëndat dhe vë theksin te kapja e medias dhe sistemit të drejtësisë.

“Kërkesa ynë për mocion me debat niset nga fakti që DASH është një nga raportet më të rënda. Theksi i raportit vihet te gjendja e lirisë së medias dhe kapja e sistemit të drejtësisë. Gjyqësori i kapur nga qeveria, sikurse ulëritëse është gjendja e korrupsionit e lidhur ngushtë me inceneratorët”, tha Boçi.

Në kundërpërgjigje të kërkesës së grupit të PD-së së Rithemelimit, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u shpreh se Kuvendi nuk është njohur me një kërkesë të tillë. Teksa ironizoi Rithemelimin se kishte reflektuar duke mos vendosur në kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës firmën e Sali Berishës, Balla tha se PS nuk heziton të shqyrtojë dhe diskutojë gjetjet e DASH një prej të cilave ka qenë dhe shpallja “non grata” e ish-kryeministrit.

“Vlerësoj faktin që ka reflektim nga propozuesit se në kërkesë në grupin e non gratave, kanë përjashtuar nga frika Berishën tregon reflektim në raportin me DASH, kuvendi duhet ta vlerësojë dhe shqyrtojë në procedurë. Nuk jemi para një kërkesë për mocion me debat se nuk ka ardhur një kërkesë e tillë.

Neni përcakton qartë se si vjen një kërkesë për mocion me debat dhe hapat procedurialë. Ka kërkesë për ndryshim rendi dite për të përfshirë në rend dite diçka që nuk ekziston. Po ju ka ccuar nëna për të larë gojën, lajeni këtu.

Por për gjetjet e DASH brenda 3 ditëve kryetarja e Kuvendit do thërrasë konferencën e kryetarëve për të shqyrtuar kërkesën, duhet të përcaktojmë kohën. Dhe ne duam të flasim për ato gjetje. Që nga 19 maj i 2021 ky Parlament duhet të ishte mbledhur për të diskutuar për vendimin e  DASH përmes Blinken për shpalljen non grata për një nga anëtarët e Kuvendit. Këto çështje duhen shqyrtuar dhe ne nuk hezitojmë”, tha Balla.

Ky i fundit u shpreh se një mocion me debat duhet të zhvillohet edhe për procesin e integrimit.

“Të zhvillojmë debat dhe për procesin e integrimit, brenda 2 muajve të parë të vitit duhet të zhvillojmë një debat dhe për këtë”, përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme