“Bashkë Fitojmë”, Alibeaj: Shkelje e rëndë ligjore përdorimi i logos së PD në këtë koalicion

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e ka cilësuar si shkelje të rëndë ligjore në kufijtë e një vepre panele kërkesën për regjistrimin e koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Kjo pasi në këtë koalicion figuron edhe Partia Demokratike e Shqipërisë, ku Alibeaj thotë se përdorimi i logos së saj në këtë kërkesë është e paligjshme.
Alibeaj i bën thirrje kryekomisionerit Ilirjan Celibashi të marra masa të menjëhershme për të shmangur regjistrimin e një koalicioni që përdor në mënyrë të paligjshme logon dhe simbolet e PD.
“Depozitimi në KQZ për regjistrimin e koalicionit “Bashkë fitojmë” përmban një shkelje të rëndë lidhur me përdorimin e siglës dhe emrit të PD. Ky përdorim, i shkruar në një dokument zyrtar që ndodhet aktualisht në KQZ, është në kufijtë e një vepre penale.
PDSH nuk është regjistruar ende në KQZ, kjo falë tifozërisë politike të drejtuesit të saj. Në cilësinë si kryekomisioner, Celibashi duhet të marrë masa urgjente për të shmangur regjistrimin e një koalicioni që përdor në mënyrë të paligjshme logon dhe simbolet e PD.
Partia Demokratike mbetet në pritje të vendimit të nesërm të KAS. Çdo përdorim juridik në KQZ apo në institucione të tjera i emrit, siglës apo logos së saj është shkelje e Kodit Zgjedhor dhe mashtrim për zgjedhësit”, shkruan Alibeaj në twitter.
Në kërkesën zyrtare të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në KQZ për regjistrimin në zgjedhjet vendore të 14 majit, në listën e partive përbërëse të koalicionit figuron edhe Partia Demokratike e Shqipërisë.
Nisur nga zhvillimet dhe vendimet në KQZ është e paqartë nëse formulimi “Partia Demokratike Shqipërisë” do të miratohet duke pasur parasysh se kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka njohur si kryetar ligjor të PD, Lulzim Bashën dhe ka rrëzuar Berishën që të garojë me logon e PD-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



