OSBE takim me ndërkombëtarët dhe Celibashin për 14 majin: Plotësoni rekomandimet e ODIHR-it

Politikë | 4 vite më parë

OSBE ka kërkuar zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit, në mënyrë që ato të përmbushin standardet më të larta demokratike.

Gjatë një takimi të zhvilluar me ambasadorët e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe komisionerin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, Kryetari i OSBE-së, ambasadori Guido De Sanctis shprehu mbështetjen për KQZ duke e konsideruar atë si “një ndër partnerët afatgjatë më të afërt e të besuar”.

Ambasadori De Sanctis risolli në kujtesë rekomandimet nga raportet e mëparshme që mbeten për t’u përmbushur.

Takimi u zhvillua në kuadër të shkëmbimit të informacionit dhe për të bashkërenduar ndihmën dhe qëndrimet për zgjedhjet e ardhshme vendore, ku na ndajnë më pak se dy muaj nga 14 maji.

Gjatë fjalës së tij Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i njohu pjesëmarrësit me përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve  dhe  falënderoi OSBE-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për mbështetjen e vijueshme për KQZ-në.

Aktiviteti ishte një takim i veçantë i Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet, krijuar me nismën e Prezencës së OSBE-së, i cili mblidhet periodikisht për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme