Alibeaj në Durrës: Dalim me kandidatin tonë nëse nuk ka bashkëpunim brenda PD

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i PD në detyrë Enkelejd Alibeaj edhe njëherë ka shtrirë dorën e bashkëpunimit brenda Partisë Demokratike për t’u bashkuar në betejën elektorale të 14 Majit. 

Nga Durrësi ku zhvilloi një takim me strukturat e degës lokale, zoti Alibeaj, tha se në zgjedhjet lokale të 14 majit do të dalin me kandidatin e tyre, nëse grupimi i Sali Berishës nuk do t’ju bashkohet për të dalë me kandidat të përbashkët. 

“Kemi kërkuar që kandidati i dalë nga Foltorja, Igli Cara të kandidojë me siglën e PD, por nëse dora e shtrirë ndaj tij për bashkëpunim mbetet pa përgjigje, ne do të dalim me kandidatin tonë dhe nuk do të përsërisim gabimin e vitit 2019” tha Kryetari i PD në detyrë Enkelejd Alibeaj.

Në të njëjtën kohë, zoti Alibeaj i bëri thirrje  gjithë spektrit politik opozitar që t’iu bashkohen në zgjedhjet lokale për të krijuar një koalicion të gjerë për të mundur atë që ai e cilësoi “regjimi i Edi Ramës”. 

Nga ana tjetër grupimi i Berishës është deklaruar prej kohësh  se kandidati opozitar që do të garojë përballë Emiriana Sakos së PS për postin e kryetarit të ri të bashkisë Durrës është Igli Cara, ish deputet dhe kryetar i degës së PD në Durrës. 

Grupimi i Alibeajt ende nuk ka një emër të shpallur publikisht.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme