DEA thirrje shqiptarëve: Denonconi trafikun e drogës! Ulsi Manja: Shenjë e fortë besimi me qeverinë

Pak ditë më parë DEA (Agjencia e SHBA-ve kundër narkotikëve) amerikane, përmes ambasadës së SHBA-ve në Tiranë kërkonte ndihmën e qytetarëve shqiptarë për të denoncuar rastet e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Këtë nismë të DEA-s amerikane në Shqipëri, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e ka konsideruar si shenjë e fortë besimi mes SHBA-ve dhe institucioneve shqiptare.
“Unë e konsideroj si shenjë besimi të fortë të autoriteteve të DEA-s me institucionet shqiptare. Bashkëpunimi i deritanishëm me autoritetet ligjzbatuese shqiptare me DEA-n dhe me të gjitha misionet e tjera që janë në Shqipëri është shenjë e fortë e bashkëpunimit mes institucioneve tona dhe e forcimit të këtij bashkëpunimi”, u shpreh Manja pas mbledhjes së qeverisë. Megjithatë, në njoftimin e bërë nga DEA amerikane nuk nënvizohet bashkëpunimi me insitucionet shqiptare.

I pyetur nga gazetarët për këtë përjashtim të institucioneve shqiptare, Ulsi Manja vuri në dukje se mjafton të shihet bashkëpunimi i DEA-s që ka me Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK)
“Ju ftoj të shihni bashkëpunimin konkret të SPAK-ut me autoritetet e DEA-s. Është një mission ekspertize që është që në ditën e parë që asiston prokurorinë speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Natyrisht edhe raportet e besimit dhe të bashkëpunimit reciprok, për informacion më të gjerë mund ta merrni atje”, u shpreh ai.
Manja i mëshoi argumentit se mes institucioneve shqiptare dhe DEA-s amerikane ekziston bashkëpunimi për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri.
“Dua ta theksoj dhe ta nënvizoj se është shenjë e fortë ndërmjet autoriteteve tona ligjzbatuese dhe autoriteteve të DEA-s por edhe të gjithë misioneve të ekspertizës që asistojnë angjencitë tona të sigurisë. Ka një vullnet serioz të agjencive ligjzbatuese dhe qeverisë për të goditur for0t korrupsionin dhe krimin e organizuar në këtë vend”, përfundoi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




