Rama në Gjermani: Në 2030, Shqipëria kampione e turizmit! Lumi Vjosa do shpallet Park Kombëtar

Politikë | 4 vite më parë

Në një takim me përfaqësues të agjencive të njohura turistike në Gjermani, kryeministri Edi Rama deklaroi se në vitin 2030 Shqipëria synon të jetë kampionia e Ballkanit në turizëm.

“Nuk është e lehtë, por ne po përpiqemi. Shpresojmë dhe objektivi ynë për 2030-ën është të jemi kampionët e Ballkanit në turizëm. Sigurisht kur themi në Ballkan nuk e kemi fjalën për Greqinë dhe Kroacinë, që të jemi të qartë, as për Turqinë. Por duam shumë që të jemi kampionë dhe të tejkalojmë vende të tjera. Në vitin 2029, ne do të jemi eksportues neto të energjisë, pra do të plotësojmë vetë nevojat tona.”– u shpreh Rama.

Rama vuri në dukje gjithashtu se “është bërë një analizë e legjislacionit të vendeve fqinje dhe po bëjmë një ligj që do të jetë shumë më tërheqës për investuesit.”

Gjithashtu, kryeministri bëri të ditur se lumi Vjosa do të shpallet Park Kombëtar, duke theksuar se Vjosa është një potencial shumë i madh për turizmin shqiptar. 

“Praktikisht gjatë viteve të fundit kemi  rritur masën e zonave të mbrojtura. Kemi një ngjarje mjaft të madhe në javët që vijnë, që ka të bëjë me deklarimin e lumit tonë Vjosa, Park Kombëtar.  Është shumë, shumë i rëndësishëm si lumë për Evropën se thonë që është lumi i fundit i egër në Evropë. Sigurisht që ka mbetur i fundit sepse të tjerët u kthyen nga “tigra” në “mace” për t’i shërbyer ekonomisë europiane, por tani Europa na kërkon ne që ta ruajmë lumin e fundit të egër dhe edhe ne duam që ta ruajmë.  Lumi mund të jetë një potencial shumë i madh për turizmin dhe ne do ta ruajmë”,  theksoi kreu i qeverisë.

Nga ana tjetër, mikpritësi i eventit u shpreh se Shqipëria ka zgjuar ndjeshëm interesin e turistëve gjermanë, i cili vitin e kaluar u rrit me 60 %, krahasuar me periudhën e para Covidit, duke theksuar se Shqipëria është qartësisht një rajon i ardhshëm udhëtimi për gjermanët, me plazhet e saj, me kulturën e saj, me jetën e gjallë në qytetin e Tiranës dhe me distancën e shkurtër të fluturimit me Gjermaninë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme