Berisha: Gjiknuri dhe Balla përgjegjës për organizimin e veprimtarive të McGonigal në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga Rithemelimi, Sali Berisha ka deklaruar se Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, kanë qenë personat përgjegjës për organizimin e veprimtarive ‘zyrtare” të McGonigal në Shqipëri.
Sipas Berishës, Rama dhe ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal kanë zhvilluar veprimtari antiamerikane, antishqiptare dhe antiligjore. Gjiknuri dhe Balla sipas Berishës, marrë pjesë në sistemin korruptiv të gjobave nga ekipi famëzi i McGonigal
“SKAP-i partisë nuk do e hetojë këtë çështje sepse në çdo skaj, në çdo qoshe, fijet të çojnë te Edi Rama. Gjiknuri, i vetëdijshëm për veprimtarinë korruptive antiligjore, iu deklaroi medieve në krye të radhës se çdo gjë e kam bërë me porosi të Edi Ramës. Ndërkohë theksoj se në krijimin e begraundit të favorshëm për gjobëvënie për McGonigal dhe ekipin e tij, një grup më i gjerë individësh i ka shërbyer këtij aktiviteti të pashembullt korruptiv. Bëhet e qartë se në funksion të këtij aktiviteti ishte thashethemi zyrtar, sipas të cilit lista u dorëzua nga Basha, Gabriel Escobar, apo Rama dhe natyrisht, Yuri Kim”, tha Berisha teksa i bëri thirrje Inspektorit të përgjithshëm të DASH, FBI-së dhe Komisionit të Kongresit të SHBA që të hetojë mbi përpjekjet për krijimin e mjedisit receptiv ndaj gjobave të McGonigal dhe ekipit të tij.
“Por ky gossip zyrtar, përbënte pa diskutim krijimin e terrenit më të favorshëm për gjobëvënies mafiozë, që thuhet se kanë mbledhur shuma dhjetëra e dhjetëra milionë”, tha ai.
Më tej, kreu demokrat i ka adresuar një pyetje Ambasadores Amerikane Yuri Kim, se përse ka mbështetir Luzim Bashës ndonëse ky i fundit akuzohet për financime ruse.
“A ka lidhje kjo përpjekje e juaj me përpjekjen e McGonigal, që njëra kompani ruse të mos fitojë licencën, por të fitojë kompania tjetër, po e Gazpromit. Çfarë interesash mbronte zonja me mbështetjen e Lulzim Bashës për kryetar të PD?”, pyet Berisha teksa bën sërish thirrje për hetime ndaj qëndrimeve të ambasadores amerikane, që sipas tij, “nuk besoj kurrë se ligjet dhe se qeveria amerikane, mund të mbështeste siç mbështeti kjo me fanatizëm dhe verbëri për kryetar opozite një njeri, që raportet e inteligjencës e akuzonin për financim rus?”.
Ndër të tjera, Berisha është ndalur dhe te protesta e 3 marsit. Për Berishën, kjo protestë do të jetë kundër vjeljeve që qeveria po u bën shqiptarëve, kundër përzënies masive të qytetarëve nga vendi i tyre, për thikën që iu vendos marrëdhënieve me SHBA dhe për përpjekjet për shkatërrimin e opozitës.
“Protesta është: t’i dalim zot Shqipërisë. Është një moment i rëndësishëm i revolucionit demokratik, që nuk ka më të ndalur. Dështuan në çdo përpjekje, dështoi çdo përpjekje e turpshme për të mposhtur opozitën dhe për ta vendosur atë nën kontrollin e Edi Ramës. Përpjekje unike në histori. Prapë, vështirësi ka, por aty ku u nis kjo betejë dhe ku ka arritur, asgjë nuk e ndalon këtë revolucion deri në fitoren e plotë”, përfundoi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



