Ambasadori italian nga Shkodra: Politika të dialogojë, njerëzit duan zgjidhje! Opozita të jetë serioze mbi gjëra konkrete dhe jo vetëm kaos

Politikë | 4 vite më parë

“Politika duhet të zgjedh gjuhën e dialogut dhe jo të kaosit dhe të dhunës verbale”, ishte mesazhi që ambasadori italian Fabrizio Bucci bëri nga Shkodra.

Për ambasadorin, njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë zgjidhjen e problemeve të tyre dhe jo gjuhën e urrejtjes. Bucci ka një mesazh edhe për opozitën ku kërkon që ajo të jetë e “bashkuar dhe serioze mbi gjëra konkrete dhe jo vetëm kaos, kjo nuk i shërben askujt, as mazhorancës”.

“Gjëja e parë është që duhet të ulim tonet, sepse tonet që i drejtohen dhunës, revoltës, nuk mendoj se i bëjmë mirë vendit. Mendoj se qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për një vend normal, për politikanë normalë, të cilët kujdesen për nevojat e qytetarëve, e nevojat e qytetarëve janë shërbimet publike, shkolla të reja, hapësira të reja, kjo është ajo çfarë kanë nevojë njerëzit nga politika e të gjithë kahëve politike, mazhoranca apo opozita.

Gjëja e dytë që kam evidentuar me grupin e miqësisë parlamentare mes Shqipërisë dhe Italisë, ka qenë një tjetër këndvështrim në atë mbrëmje, një shpirt ndoshta edhe Italian, ku të gjithë së bashku po diskutonin larg zhurmës dhe debateve brutale, por me një shpirt të butë për të mirën e njerëzve për nevojat e kombit, dhe është ajo fryma që i duhet vendit.

Qëndrimi im është që edhe opozita të mbushë boshllëkun e krijuar, sepse në demokraci një mazhorancë ka nevojë për një opozite, opozita është e fortë nëse është e bashkuar, por këshilla ime si përfaqësues i Italisë, është që opozita duhet te jetë e fortë dhe e bashkuar që në parlament të bëje një opozitë serioze mbi gjëra konkrete dhe jo vetëm kaos, kjo nuk i shërben askujt, as mazhorancës”, tha Bucci.

Për ecjen para me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, ambasadori tha se duhet angazhimi si i mazhorancës dhe opozitës.

“Pak kohë më parë Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt BE, dhe hyrja e Shqipërisë në familjen e madhe europiane nuk është objektiv i vetëm një krahu politik, është objektiv politik i të gjithëve, dhe mua më pëlqen që të gjithë të punojnë në këtë drejtim, pa diskutim që mund të ketë mendime apo ide të ndryshme por në demokraci mazhoranca është ajo që qeveris, dhe janë zgjedhësit ato që vendosin kush qeverisë, çdo dy vite, çdo vite,  1 herë në katër vite për qeverinë, 1 herë në 4 vite për zgjedhje lokale, ai është momenti kur qytetarët shprehen.

Në këto 4 vite mua do të më pëlqente që politikanët të zgjidhnin formën e civilizimit dhe dialogut që nuk është gjithmonë përballje mes akuzave, dhunës verbale, e të shpresojmë që të mos ketë dhunë të asnjë forme tjetër”, tha ambasadori.

Lidhur me zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, ambasadori tha se dëshiron të politikanët të ofrojnë alternativa për banorët.

“Zgjedhjet e 14 Majit janë zgjedhje të rëndësishme pasi zgjedhin drejtuesit e 61 bashkive. Do të doja që me 14 Maj politikanët të mundohen që t’i ofrojnë zgjidhje qytetarëve. Do të dëshiroja që me 14 Maj, politikanët të ofrojnë alternative për banorët”, tha Bucci.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme