14 maji, si po shkojnë partitë në zgjedhje, PD në “darën“ e vulës, pasiguria e aleatëve, Poli i Tretë

Politikë | 4 vite më parë

Nga Armando META

Zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, duket se po rikonfigurojnë skenën politike shqiptare. Pas një periudhe gati 20 vjeçare, ku subjektet politike u ndanë qartazi mes dy blloqeve të drejtuara nga PS dhe PD, java e fundit ka bërë që kjo skenë bipolare të vihet në pikëpyetje, jo për rezultatet elektorale, por për unitetin mes palëve.

Zhvillimet brenda partisë më të madhe të opozitës, ku duket se beteja për vulën ka sfumuar betejën për zgjedhjet vendore, i ka bërë aleatët e saj që të jenë të pasigurtë se me cilën palë do të firmosin që të jenë në koalicion në zgjedhje, dhe, për më tepër, që të kenë një marrëveshje që merr në konsideratë ambiciet e tyre politike dhe elektorale, kryesisht në nivel këshilltarësh bashkiakë.

Marrëveshja mes Bindjes Demokratike me koordinator Astrit Patozin dhe LZHK-së të drejtuar nga, Dashamir Shehi, është një sinjal në këtë drejtim. Madje edhe drejt konfigurimit të një skene politike 3 polare, një ambicie e vjetër kjo e partive të vogla politike shqiptare.

Si po shkojnë partitë në zgjedhje?

PS duket se nuk ka shumë enigma, lidhur me mënyrën se si ajo do të ballafaqohet në sfidën elektorale të 14 majit.

Në dallim nga PD, PS ka aplikuar një skemë përthithëse të partive të majta rreth vetes, pa një marrëveshje të veçantë me çdo subjekt elektoral aleat, skemë e cila u provua për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 2021, ku PS mori një shumicë dërrmuese mandatesh për deputetë, pa siglat shoqëruese të aleatëve të saj.

Nga ana tjetër, PS pothuajse i ka konfirmuar kandidatët e saj për kryetarë bashkishë, sidomos në bashkitë kryesore të vendit si Tiranë, Elbasan, Fier, Durrës, Shkodër, Korçë.

E vetmja bashki e madhe që ende nuk ka një vendim final është ajo e Vlorës, ku ajo që është e sigurtë është se kryebashkiaku aktual, Dritan Leli, nuk do të jetë kandidat i PS-së për këtë bashki.

PD në darën e vulës dhe zgjedhjeve

Krejt ndryshe paraqitet situate në PD, e cila prej shumë muajsh konsumon energji se kush do të jetë drejtuesi zyrtar i kësaj partie.

Kjo situatë ka ndikuar edhe në një krisje të PD-së me aleatët e saj, të cilët duket se nuk dinë se në cilën “karrige” do të ulen. Deri tani PD e Berishës ka firmosur marrëveshje me PL-në, PR-në dhe PBDNJ-në, marrëveshje të cilat më shumë kanë pasur efekt deklamativ se sa juridik.

“Primaret”, kandidatët ende në vendnumëro

Grupimi i Berishës ndonëse ka rreth 3 muaj që ka zhvilluar “Primaret” për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkishë, thuajse asnjëri prej tyre nuk ka filluar fushatën e tij elektorale, qoftë në nivel organizativ politik, qoftë edhe në nivel takimesh me elektoratin.

Pasiguri kanë edhe disa deputetë, të cilët ndonëse kanë deklaruar apo janë përzgjedhur nga “Primaret” si kandidatë për kryebashkiakë, thuajse nuk kanë hedhur asnjë hap drejt dorëzimit të mandatit të deputetit.

Hemorragjia e lënies së mandatit të deputetit nga disa të zgjedhur të PD-së, si pasojë e përplasje të brendëshme, ka zhvlerësuar edhe cilësinë e mandatit të deputetit.

Hapa para nuk ka bërë as grupimi në PD i drejtuar nga Alibeaj, i cili, me përjashtim të disa gjesteve politike duke nominuar 4-5 kandidatë për kryebashkiakë, nga ana tjetër, makineria elektorale e këtij grupimi ka ngecur në vend.

6 marsi është afati i fundit për regjistrimin e partive politike në KQZ për pjesëmarrje në zgjedhjet vendore. Data 3 mars shihet brenda PD-së me ankth, pasi do të përcaktojë jo vetëm se kush do ta drejtojë përfundimisht PD-në, por edhe se kush do të jetë konfigurimi elektoral për zgjedhjet vendore të 14 majit, si dhe për zgjedhjet e përgjithshme të 2025.

Poli i Tretë?

BDI dhe LZHK kanë firmosur një marrëveshje për zgjedhjet vendore të 14 majit, marrëveshje e cila synon të rrisë nivelin e përfaqësimit në këshilla bashkiakë.

I ftuar një ditë më parë në “Publikisht” në RTSH, Dashamir Shehi u shpreh se nuk mund të vazhdohet më tej që dy njerëz të drejtojnë Shqipërinë. Sipas tij, në koalicionin LZHK- BD, janë të mirëpritur të gjithë ata që janë kundër qeverisë së kryeministrit Rama.

“Nëse ne po bëjmë garë se kush është kryetari, atëherë jemi duke shpërdoruar opozitën. Aty ka dy grupe njerëzish që më shumë grinden kush është i pari. Nuk shoh platformë. Ne nuk na intereson data 3. Këta dëshirojnë të asgjësojnë njëri-tjetrin. Kjo s’është demokraci”,- u shpreh Shehi në emisionin “Publikisht” në RTSH.

Ndërsa Patozi e sheh më të thellë ndarjen me PD-në dhe PL-në, duke dhënë sinjale të qarta se koalicioni me LZHK-së dhe BD-në nuk është thjeshtë për zgjedhjet vendore, por edhe për një perspektivë të mëvonshme. Sipas tij, me Berishën dhe Metën ndarja është një humnerë e gjerë.

 Fotofinish?

Ndërsa data 6 mars po afron, shumë çështje janë ende pezull. Duket se edhe këtë rradhë, partitë politike do të regjistrohen në KQZ në minutat e fundit. Kjo shpejtësi e minutave të fundit pritet të ketë edhe efektet e saja, jo shumë për subjektet politike, por për kandidatët në garën për kryebashkiakë, sidomos në bashkitë e mëdha të vendit, që mbajnë edhe peshën politike dhe elektorale të vendit.   

/rtsh.al/

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme