Tabaku: Ligji për “Investimet Strategjike” është korruptiv, duhet të shfuqizohet

Politikë | 4 vite më parë

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese ka diskutuar në mbledhjen e kësaj të mërkure (22 shkurt) lidhur me projektligjin “Për investimet strategjike”. Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka deklaruar se ligji për investimet strategjike është keqpërdorur dhe se sipas saj vendimet për dhënien e statusit të investitorit strategjik kanë qenë abuzive pasi sipas saj, u jepet avantazh vetëm një grup të vogël kompanish.

“Ligji për Investimet Strategjike në gjykimin tonë i ka përfunduar arsyet për të cilat është krijuar. Ka qenë ligj antikushtetues, ishte konceptuar për të favorizuar një grup të caktuar individësh me statusin e investitorit strategjik dhe është keqpërdodur. Në pjesën më të madhe të vendimeve për investitor strategjik, vendimet kanë qenë abuzive dhe korruptive. Ligji që kur është krijuar që në 2015  me një afat 3-vjeçar, në relacionin e ligjit shkruhej se ligji për investimet strategjike do të ishte i përkohshëm. Sepse qeveria shqiptare po punon për një ligj kuadër për investimet, një ligj i cili do të rregullonte investimet e huaja dhe vendase dhe nuk do përdoret përjetësisht. Kanë kaluar 8 vite kur ligji i investimeve strategjike është kthyer në rregull.

Ligji është shtyrë të paktën 3 herë. Jep investime, asete publike pa garë, në mënyrë selektive. Nuk ka patur ndikim në zona të caktuara por kemi dëgjuar për investime strategjike për persona në listën e sanksioneve. Oleg Deripaska i shpallur investitor strategjik për luleshtrydhet në Divjakë, është jashtë çdo koncepti”, tha Tabaku, teksa shtoi se shfuqizimi i ligjit për investitorët strategjikë duhet të nisë nga 1 janari i këtij viti.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme