Maturantët që duan Mjekësinë, kusht testi i informatizuar! Kamera në sallën e provimeve

Të gjithë maturantët që duan të studiojnë për mjekësi do të zhvillojnë testin e informatizuar, që pilotohet për herë të parë për kandidatët që do aplikojnë për degën e Mjekësisë. Ky test, tha ministrja e Arsimit Evis Kushi, do të shmangë fiktivitetin e notave në gjimnaze.
Gjatë fjalës së saj në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Kushi tha se ky test do të ketë 30 % të peshës në pranimin në Universitetin e Mjekësisë, ndërsa 70 % e pikëve do të merret nga formula aktuale.
“Kemi marrë vendimin për testin e informatizuar për mjekësinë. Ky do jetë shtesë, pos provimet të maturës vetëm për ata që zgjedhin mjekësinë. Në këtë mënyrë ne rrisim meritokracinë. Është pritur shumë mirë nga maturantët, janë njohur me metodikën e pyetjeve. Pritet të jenë rreth 3 mijë kandidatë. Kemi marrëveshjen me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, ne kemi dakordësim që ky provim të jetë kriter për renditjen e maturantëve me 30% të peshës”, tha Kushi.
Lidhur me maturën shtetërore, ministrja Kushi tha se provimet duhet të kryen në salla të mëdha, ku të ketë edhe kamera sigurie për të garatuar një proces të drejtë dhe sa më të qetë për të gjithë maturantët.
“Ka diferenca në notë mes mesatares vjetore dhe notës në maturën shtetërore dhe kjo vjen për vlerësim të fiktivitetiti. Provimet e maturës duhet të zhvillohen në klasa sa më të mëdha, që mund të jenë pallat sporti, korridore të mëdha në universitete. E rëndësishme është të jenë mjedise sa më të mëdha, te këtë numer të lartë administratorësh por edhe kamera sigurie që të gjithë të jenë të qetë”, tha ministrja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




