Partia e Lirisë: Lufta e qeverisë kundër ndërtimeve pa leje, një farsë

Partia e Lirisë e kosnideron fushatën e fundit të qeverisë kundër ndërtimeve pa leje, si një “farsë”. Sekretari Organizativ i PL-së, Endri Braimllari, me anë të një postimi në Facebook, ka akuzuar Bashkinë e Tiranës se i ka vënë syrin një tjetër lulishteje për të ndërtuar një kullë.
“Lufta e qeverisë kundër ndërtimeve pa leje, një farsë. Betonizimi i Tiranës vazhdon. Bashkia e Tiranës dhe Erion Veliaj i ka vënë syrin një tjetër lulishtje për ta kthyer në një prej kullave më të larta në rajon.
Bëhet fjalë për lulishten pas Pallatit të Kulturës, apo siç njihet ndryshe edhe Teatri i Operas dhe Baletit. Sot kryeministri dhe kryebashkiaku i betonit na e paraqitën këtë kullë si një projekt zhvillimi dhe punësimi, por qytetarët e Tiranës do të kenë një lulishte më pak.”- shkruan Braimllari.
Sipas tij, Erion Veliaj, që dikur mburrej se gjoja e kishte kthyer gropën e Hajdin Sejdisë në një lulishte për qytetarët, sot po realizon ëndrrën e dikurshme të padronit të tij, Edi Ramës, për të ndërtuar qiellgërvishtësen e re, duke e shëmtuar akoma më tej Tiranën.
“Kjo tregon edhe një herë se aksioni i qeverisë kundër ndërtimeve pa leje në Tiranë është një farsë. Koha për t’i dhënë fund masakrës urbane të Tiranës po afron!”- thekson Braimllari.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




