Dita Ndërkombëtare e të Moshuarëve/ Meta: T’u rriten pensionet, të pamjaftueshme për të përballuar krizën e çmimeve

Ndërsa 1 Tetori shënon Ditën Ndërkombëtare e të Moshuarëve Kryetari Partisë së Lirisë Ilir Meta ka sjellë në vëmendje disa shqetësime lidhur me këtë grupmoshë. Në një postim në Facebook Meta shkruan se rritja e kostos së jetesës ka prekur më së shumti të moshuarit pasi sipas tij pensionet e ulëta janë të pamjaftueshme për të përballuar rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, aq më tepër të medikamenteve apo shpenzimeve mjekësore.
Për Metën rritja e pensioneve është një detyrim madhor për brezin e moshës së tretë.
“Qëllimi i kësaj dite për të rritur sensibilizimin për më shumë përkujdesje për personat e moshës së tretë, ka një rëndësi akoma dhe më të madhe për vendin tonë këtë vit, pasi të moshuarit në Shqipëri janë ata që po goditen më shumë nga rritja e kostos së jetesës.
Pensionet e ulëta janë të pamjaftueshme për të përballuar rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, aq më tepër të medikamenteve apo shpenzimeve mjekësore.Personat e grupmoshës së tretë janë më të rrezikuarit për të përfunduar drejt varfërisë ekstreme si rezultat i kësaj situate të vështirë.
Të moshuarit në Shqipëri meritojnë një trajtim dinjitoz dhe jo paketa lëmoshe dhe qesharake të Qeverisë për përballimin e krizës së çmimeve.Rritja e pensioneve është një detyrim madhor për brezin e moshës së tretë”, shkruan Meta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




