Çuçi: E kemi çuar shumë lart bashkëpunimin ndërkombëtar, në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar

Politikë | 4 vite më parë

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, deklaroi sot në Kuvend se në kuadër të marrëveshjeve me ndërkombëtarët, policia shqiptare ka goditur 4 grupe kriminale të rrezikshme në 6 muajt e parë të vitit 2022, ndërsa 30 persona janë arrestuar.

Komentet e Çuçit u bënë kur po diskutohej për dy marrëveshje midis Ministrisë së Brendshme shqiptare me Britaninë e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Nuk mund të kemi rezultate nëse do jemi të vetëm. E shoh me shumë optimizëm këtë përpjekje të qeverisë sonë. Nëse para disa vitesh niveli i marrëdhënieve në këto fusha ka qenë shume i ulët, sot ne këto i kemi ngritur në nivele shumë të larta, ku mund të flasim për operacione të përbashkëta. Pra, jemi në realitet krejt tjetër. Nga janari  dhe qershori 2022, kemi pasur skuadra të përbashkëta hetimore me vende si Spanja, Italia, Gjermania, Britania etj. Kemi goditura 4 grupet kriminale me 30 të arrestuar dhe dhjetra të shpallur në kërkim.“- tha Çuçi.

 Sipas tij, Shqipëria është në nivelin më të lartë historik sa i përket skuadrave të përbashkëta hetimore, që janë 17 të tilla, si dhe e kemi çuar shumë lart bashkëpunimin ndërkombëtar, në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar.

 “Jemi shembulli më i mirë në rajon. Jemi i vetmi vend jo anëtar i BE-së që kemi një marrëveshje si vend anëtar i BE-së me Frontex. Kemi pasur një marrëdhënie të barabartë edhe në EUROPOL. Në këtë kudër vijnë të dyja marrëveshjet që kemi sot si ajo me Britaninë e Madhe, ashtu edhe me Emiratet e bashkuara. E para lidhet me bashkëpunimin me Britaninë në fushën e emigracionit të paligjshëm. Në Britani janë mbi 130 mijë shqiptarë që punojnë në mënyrë të ligjshme. Duhet të dekurajojmë skllavërinë modern, si dhe emigracionin e paligjshëm, si praktikë e rrezikshme që shton kriminalitetin. Ne, nëpërmjet kësaj marrëveshje, biem dakord që të kemi një shkëmbim të drejtëpërdrejtë të informacionit brenda kuadrit ligjor të dy shteteve. Në kuadër të kësaj marrëveshje kemi rënë dakord të shtojmë prezencën tonë me një oficer ndërlidhës që të garantoj zbatimin e kësaj marrëveshje. Marrëveshja me Emiratet e Bashkuara vjen për të adresuar luftën kundër terrorizimit. Nuk është e lehtë të bësh marrëveshje të tillë me Emiratet e Bashkuara Arabe, është arritur me ne në këtë fazë shumë të mirë. Sidomos për të adresuar krimin, jo vetëm në Shqipëri, por edhe ata që janë me origjinë shqiptare.’- tha Çuçi.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme