Këshilli për Legjislacionin miraton shtyrjen e afateve të Vetingut

Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilluan të premten mbledhjen e përbashkët ku u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligji për nismën e ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga mazhoranca për shtyrjen e afatit të organeve të Vetingut deri në 31 dhjetor 2024.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka në fjalën e saj prezantuese të nismës u shpreh se për këtë nismë janë marrë vlerësime nga OPDAT, është marrë një opinion nga Komisioni i Venecias që ka dhënë konfirmimin e që kjo nismë vjen në përputhje me standardet evropiane si dhe është marrë në konsideratë edhe opinioni i 3 ekspertëve konstitucionalistë, Aurela Anasatasi, Erind Mërkuri, Silva Caka.
Duke prezantuar nismën Bushka u shpreh se, “39 deputetë të mazhorancës në nismën e tyre kanë kërkuar ndryshime të Kushtetutës që në qëllim kanë përmbylljen me sukses të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi”.
Ajo tha se, jemi para një situate, ku procesi i Vetingut, si një nga shtyllat e reformës në drejtësi është në ecurinë e vetë, në momentin që aktualisht po i mbaron afati. I mbaron në qershor 2022. Por jo të gjitha çështjet e rivlerësimit janë përfunduar. Nga një total prej rreth 800 çështjesh deri në këtë moment kemi ende të papërfunduara gati mbi 30% të tyre. Por ky numër mund të ndryshojë sepse deri në qershor 2022 puna vazhdon”.
Për këtë arsye, shtoi ajo, “propozohet shtyrja e këtij afati, pasi në thelb të ndryshimeve kushtetuese qëndron trajtimi i barabartë i çështjeve. Pra trajtimi në mënyrë të barabartë të të gjitha çështjeve të rivlerësimit”.
“Kushtetuta shprehet se në përfundim të afatit ky proces i kalonte KLGJ-së për gjyqtarët dhe KLP-së për prokurorët, ndërsa kompetenca e Komisionerëve Publikë, që është hallka e parë e Vetingut dhe KPA, do t’i kalojnë organit të Prokurorisë së Posaçme. Pra, ne kemi një skenar të paracaktuar kushtetues, i cili nuk e ka lënë pa zgjidhje këtë çështje, në kuadër të reformës në drejtësi”, tha Bushka.
Bushka tha se, “sot kemi një situatë të ndryshme nga situata kur është bërë kjo vendimmarrje sepse së pari, pavarësisht se organet e Vetingut duhet ta fillonin punën brenda vitit 2017, por dinamika që ndodhën në ato kohë, vonesa për ngritjen e institucioneve mes dy legjislaturave bëri që çështjet e para të fillonin në 2018-ën”.
Gjithashtu, Bushka shtoi se, “ka ndikuar në vonesë edhe pandemia, prandaj në këto kushte konsiderohet e justifikuar që do të kërkohet një shtyrje, sepse nga pandemia organet e Vetingut nuk patën mundësi të punonin prej muajsh”.
Bushka tha se, “ka dy zgjidhje. Të shtyjmë afatin e organeve të rivlerësimit deri në fund të vitit 2024 dhe zgjidhja e dytë të vijojmë me skenarin e paracaktuar në Kushtetutë”.
“Në vijim të procesit të konsultimit me grupet e interesit, me ekspertët, me Komisionin e Venecias, por edhe mendimet e ONM-së, BE-së dhe OPDAT të arrihet në konkluzionin që propozimi për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të shtyrë afatin e organeve të vettingut, është versioni, i cili e justifikon situatën në të cilën ndodhemi”, tha Bushka.
Bushka shtoi se, “ky propozim vjen në përputhje me standardet evropiane dhe ruan konsistencën e procesit dhe garanton integritetin e tij sepse bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të rasteve”.
Në fund të fjalës së saj, Bushka kërkoi nga deputetët që të votojnë pro kësaj nisme.
Në këtë mbledhje, mungonin deputetët e Partisë Demokratike, teksa nga opozita e pranishme ishte vetëm deputetja e LSI, Erisa Xhixho.
Në fund të mbledhjes së përbashkët u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligji i propozuar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




