SHBA kërkon që Berisha të mos jetë në parlament në shtator!

Ndonëse nuk e ka përmendur me emër ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, ka lënë të kuptohet që SHBA kërkon që ish kryeministri Sali Berisha të mos hyjë në parlamentin e ri që fillon punë në shtator.
Duke folur për mediat pas takimit që zhvilloi me kreun e PD-së Lulzim Basha në selinë e PD, zonja Kim tha: “PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura, nga komunizmi. Do ishte ironi historike dhe po aq tragjike nëse partia do duhej të hante bar për hir të një deputeti të saj. Në fakt shpresa jonë është që partitë të vazhdojnë përpara dhe bashkëpunimi ynë të shkojë përpara” tha zonja Kim.
Deklarata e saj vjen pasi DASH ka shpallur “të padëshirueshëm” ish kryeministrin Sali Berisha, figura kryesore e tranzicionit postkomunist në Shqipëri.
Vetë zoti Berisha është shprehur se mezi pret që të marri pjesë në punimet e parlamentit të ri.
Ambasadorja Kim theksoi se është përgjegjësi që ndërsa krerët e partive do të futen në Kuvend, të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë besimin e shqiptarëve, duke lënë të kuptohet se fatin e zotit Berisha mund ta kenë edhe deputetë të tjerë.
Zonja Kim duket se i ka dhënë përgjigje edhe qëndrimit të ashpër të opozitës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. “Kuptojmë që partia dhe të tjerë kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, por që gjithashtu këto shqetësime janë pasqyruar në raportin e OSBE-ODIHR” tha zonja Kim.
“Ka vendime të vështira për të gjithë, shpresoj që njerëzit të kenë mundësi të çlodhen në muajin gusht dhe të kthehen të freskët dhe të përtërirë për ato që ka e ardhmja” tha ambasadorja amerikane Yuri Kim pas takimit të premten me kreun e PD-së Lulzim Basha në selinë e PD.
Nga ana e tij zoti Basha ende nuk ka bërë komente.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



