Ndryshimet në polici, Rama: Qëllim ngjitjen në një nivel mesatar evropian të Policisë së Shtetit!

Politikë | 5 vite më parë

Kryeministri Edi Rama lajmëroi se qëllimi i ndryshimeve në policinë e shtetit është që njerëz me profesionalizëm, me integritet, të marrin në dorë drejtimin e policisë. Në takimin me përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe ministrin Blendi Çuçi, kryeministri Edi Rama tha se faza e re e projektuar prej kohësh, e përshpejtuar edhe nga ngjarjet e fundit, kërkon ngjitjen e mëtejshme në mesataren evropiane me shifra dhe standarde të policisë së shtetit. “Qëllimi i ndryshimeve në policinë e shtetit është shumë i qartë. Është që njerëz me profesionalizëm, njerëz me integritet, me rezultate të marrin në dorë drejtimin e policisë në këtë fazë të re. Një fazë e re e projektuar prej kohësh, e përshpejtuar edhe nga ngjarjet e fundit që kërkon ngjitjen e mëtejshme në një nivel mesatar evropian, në mesataren evropiane me shifra dhe standarde të policisë së shtetit.” tha zoti Rama. Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu kritikat ndaj uniformave blu, teksa ngriti problematikën se në Policinë Rrugore ka një rishfaqje të vogël të korrupsionit. Për këtë, ai i bëri thirrje SHÇBA-së që të veprojë dhe të godasë çdo rast.

Duke iu referuar rastit të ndodhur disa ditë më parë në Sarandë, ku pati përplasje me armë në një lokal, qe ushtronte aktivitetin e tij, jashtë orës policore, kryeministri kërkoi përgjegjësi penale ndaj të gjithë zinxhirit komandues atje. “Mungesë etike, komunikimi nga personeli policor janë shfaqje të neveritshme që duhen luftuar me zero tolerancë. Këtu dua të nënvizoj fort një fakt, që në vetvete është sfidues për ligjin, për shtetin, është sfidues për policinë e shtetit. Kush janë këta pronarë lokalesh në zonat bregdetare që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë orarin e orës policore, krijojnë abuzime degjeneruese deri në krisma dhe në plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur në lokal. Kush janë ata? Ata janë tutorët e policisë së shtetit në ato territore. Ata janë korruptuesit e Policisë së Shtetit. Janë abuzuesit më të mëdhenj me policinë e shtetit që tërheqin prej hundësh shefa komisariatesh duke i kthyer në roje të akviteitit të tyre të paligjshëm. Rasti i Sarandës ishte alarmant, e kam ndarë këtë gjë me Ministrin e Brendshëm dhe ai rast duhet të dërgonte në hetim penal të gjithë drejtuesit atje”, tha Rama.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme