Rama iu vendos afat drejtorëve të policisë: “Keni 100 ditë kohë të gjeni të infiltruarit”

Politikë | 5 vite më parë

Kryeministri Edi Rama iu ka caktuar një afat 100 ditor drejtuesve të Policisë së Shtetit për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal në çdo qark.  “Keni 100 ditë kohë, 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë, që qytetarët të marrin frymë të lehtësuar duke e parë Policinë e Shtetit në nivel tjetër. Asnjë shkencë apo luftë me një të panjohur por thjesht gjërat që i dini dhe dini ti bëni mirë. Në çdo qark në 100 ditë duhet të jepet shembulli që s’ka pandëshkueshmëri, ju se keni problem të gjeni komisarë që luajnë me dy porta. 100 ditë. Ky është një objektiv i palëvizshëm në çdo qark. Policë rrugorë, Shqiponja, ata që rrinë si të infiltruar para trupit duhet të shkojnë para drejtësisë”, tha me vendosshmeri kryeministri Rama.
Në një takim me përfaqësues të Policisë së Shtetit, Kreu i qeverisë tha se pret që në këto ditë të ndëshkohen të gjithë personat që bëjnë abuzime me uniformën në strukturat e policisë. “Pritshmëria është e lartë dhe ky fakt është shumë motivues, është shumë domethënës. Sepse aty ku është pritshmëria e lartë domethënë besimi që gjërat mund të bëhen është i pranishëm se po të mos ishte i pranishëm edhe pritshmëria nuk do ishte e tillë siç nuk ka qenë në të shkuarën në kohëra të zymta ku Policia e Shtetit është përballur e vetme me fenomenet negative dhe ku njerëzit s’kishin asnjë pritshmëri”, tha nder të tjera kryeministri Edi Rama.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme