Arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes, reagon politika

Kryeministri Edi Rama ka siguruar se Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve, ka përcaktuar qendrimin e tij kreu i ekzekutivit duke ndarë partinë socialiste përmes përcaktimit se “Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”.
Nga ana tjetër, Kreu i Partisë demokratike Lulzim Basha ka reaguar po ashtu , duke thënë se ky mund të jetë një fillim i mbarë. “Por kjo do të varet nga aftësia, kuarajo dhe pavarësia e drejtësisë për të goditur lidhjet e pushtetit me krimin, lidhjet e Hakmarrjes për Drejtësi me Tushën, Braçen dhe vetë Ramën, dhe përfitimet e tyre të ndërsjellta në vite të gjata bashkëpunimi” ka plotësuar kryetari Basha.
Ndërkohë Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka reaguar duke iu drejtuar vetë të implikuarve. “Tani është koha të konsiderosh nëse vërtetë ja vlen të shkosh në burg. Tani është koha të ndalosh. Askush nuk është mbi ligj”, shkruan ambasadorja Kim.
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili reagoi për operacionin e SPAK në Lushnjë duke u shprehur se “SPAK ka probleme me “shikimin””. “SPAK ka sy shumë “të mprehtë” dhe shikon deri larg, deri në Lushnjën e Tushes së Bashkisë, por Edi Ramën dhe Erion Veliajn nuk i sheh dot se i ka shume afër. SPAK është “sëmurë”, SPAK nuk shikon nga afër, por vetëm larg. SPAK duhet çuar tek okulisti, që të rregullojë shikimin dhe të ndërrojë gjyslyket për të parë edhe nga afër, megjithëse Teatrin e shohin edhe të verbrit”, tha Vasili.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



