PD: Rekordet e zeza Rama-Doshi po shkatërrojnë rendin, ekonominë dhe demokracinë

Partia Demokratike e opozitës ka reaguar sot ashpër ndaj qeverisë së kryeministrit socialist Edi Rama, pas publikimit të një raporti të OKB-së, i cili e rendit Shqipërinë të parën në Europë për kanabisin.
Deputeti Ervin Salianji nga selia e PD deklaroi se “rekordet e zeza të regjimit Rama-Doshi po shkatërrojnë rendin, ekonominë dhe demokracinë.” Sipas tij këto “Arritje që i kanë nxirë faqen Shqipërisë ndërkombëtarisht dhe e kanë futur vendin tonë në një listë të zezë nga e cila fiton vetëm regjimi dhe humbasin familjet shqiptare”. “Modeli i ndërtuar nga Edi Rama, ai i bashkëpunimit me krimin dhe i dorëzimit të vendit në duart e ortakëve të tij, duke e lincensuar lulëzimin e kanabisit veçanërisht në periudhën zgjedhore, ka bërë që Shqipëria të jetë e para për drogën dhe korrupsionin, por e fundit në Europë për të ardhurat për frymë, sikurse dëshmojnë të dhënat e publikuara pak ditë më parë nga Eurostat-i” tha deputeti i ri demokrat.
Sipas zotit Salianji kjo është arsyeja që shqiptarët largohen, rrugët përgjaken, familjet jetojnë në pasiguri për jetët dhe të ardhmen e tyre, sepse interesat e një pakice plackitësish i janë mbivendosur dhunshëm shumicës dërrmuese të qytetarëve.
Duke ju kthyer zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit, që PD vazhdon ti konsiderojë si masakër zgjedhore Zzoti Salianji tha se PD do vazhdojë të luftojë me gjithë forcën për zhbërjen e këtij modeli. “Jemi të bindur që asnjë shqiptar nuk pranon që vendi i tij të jetë i pari për drogën dhe korrupsionin dhe i fundit për mirëqenien që garanton për qytetarëve të tij. Bashkë me këtë shumicë, ne do ta largojmë pakicën që ka ndaluar përkohësisht ndryshimin që shqiptarët duan dhe meritojnë!” përfundoi Ervina Salianji deputet i PD.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



