Kryeministri Rama në Shkup, merr pjesë në Forumin e Parë Ekonomik

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjendet në Shkup, për të marrë pjesë në Forumin e Parë Ekonomik. Sikurse njofton e dërguara e posaçme e RTSH Denada Shkodrani, takimi që po mbahet sot, ka pjesë të tij edhe Komisionerin e Zgjerimit të BE, Oliver Varhelyi dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.
Komisioneri Varhelyi do të jetë pjesë e takimit përmes një videomesazhi ku gjithashtu pjesë e diskutimit do të jenë edhe zëvendëskryeministrat Nikolla Dimitrov dhe Fatmir Bytyçi.
Të njoftuar për pjesëmarrje janë gjithashtu edhe ministri i Drejtësisë se Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiç, guvernatorja Anita Angellovska Bezhovska, ministrja e Financave të Shqipërisë, Anila Denaj, ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Greqisë dhe Polonisë në Maqedoninë e Veriut dhe udhëheqës të institucioneve të tjera financiare si brenda dhe jashtë vendit. Takimi vjen vetën një ditë pasi BE nuk gjeti gjuhën e përbashkët për nisjen e proceduarave të anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe MV.
Forumi, me titull “Një agim i ri: Vendosja e themeleve për stabilitet dhe prosperitet në Maqedoninë Veriore ”është organizuar nga Forumi Ekonomik Delphi dhe në bashkëpunim me Shoqatën Greke të Biznesit në Maqedoninë e Veriut.
Organizatorët thonë se qëllimi është të zhvillojnë “Forumin Ekonomik të Shkupit” në një takim të nivelit të lartë të liderëve politikë, të korporatave dhe intelektualëve më me ndikim lokal dhe ndërkombëtar për të adresuar sfidat e ngutshme me të cilat përballet Maqedonia e Veriut dhe rajoni.
Forumi do të ofrojë një mundësi për të identifikuar dhe vlerësuar sfidat kryesore të rritjes, për të mësuar nga përvojat e politikave në vendet e tjera, për të mbështetur miratimin e praktikave të inovacionit shoqëror të korporatave në sektorin privat dhe për të identifikuar një kurs veprimesh politike drejt një ekonomie më konkurruese dhe gjithëpërfshirëse në Maqedoninë e Veriut.



Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



