PD këmbëngul: Analizë e masakrës zgjedhore të 25 prillit!

PD e opozitës vazhdon të këmbëguli se zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit ishin një masakër zgjedhore, ndërsa muajt në vijim do të jenë të vrullshëm për opozitën.
Në mbledhjen e të premtes Kryesia e PD ka vendosur për një analizë të detajuar të këtyre zgjedhjeve në çdo nivel brenda partisë, nga çdo seksion deri në nivel qarku. Gjithë procesi i analizës brenda PD do të zgjasë deri më 30 shtator.
Duke folur në këtë mbledhje, kreu i rizgjedhur Lulzim Basha është shprehur se reformat që do të ndërmerren do të jenë në funksion të betejës dhe fitores së Shqipërisë. “Muajt në vijim do të jenë të vrullshëm, sepse e tillë është beteja që na pret” tha zoti Basha. Sipas tij “Shqiptarët na dhanë një fuqi edhe më të madhe në 25 prill, demokratët mbështetën vizionin që ju parashtrova gjatë kësaj gare, ndaj detyra jonë është t’i përgjigjemi kësaj mbështetje të shqiptarëve dhe demokratëve duke treguar që jemi dhe do të mbetemi një parti e shoqërisë, një parti e hapur”.
Kreu i PD tha se “Detyra ime është që në përgjigje të kësaj mbështetje shoqërore që morëm, pa asnjë pushtet, të jemi edhe më të hapur edhe më pranë shoqërisë, t’i shtrijmë dorën e bashkëpunimit shoqërisë dhe t’ju them ejani ta ndryshojmë bashkë këtë realitet, ejani ta rrëzojmë bashkë këtë regjim armik të demokracisë, ejani në PD dhe ta ndërtojmë bashkë një të ardhme më të mirë për vendin!”.
“Ne do ta forcojmë dhe thellojmë aleancën me njerëzit dhe grupet e interesit duke i përfshirë ata më shumë në vendimmarrje” tha lideri i PD. “Kjo është detyra jonë. Përballë kemi një kundërshtar që e ka përcaktuar qartë aleancën e tij, atë me krimin dhe oligarkinë. Ne kemi një mision më të madh, të marrim me vete shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan ndryshimin, duan demokracinë dhe shohin te ne shpresën e vetme për realizimin e tyre” tha zoti Basha.
“Ne e kemi bërë këtë përpara 25 prillit, kontratat me grupet e interesit, etj. Ne do ta vazhdojmë edhe më tej duke u bërë zëri i çdo shqiptari. Do të kemi platforma politike për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe po ashtu do të mundësojmë nëpërmjet iniciativave ligjore ndryshime që të mundësojnë përfaqësim më të mirë, më të denjë dhe më demokratike.
Ne kemi lindur si partia e njerëzve të lirë, përgjegjësia dhe misioni ynë mbetet shërbimi ndaj njerëzve për të sjellë liri dhe demokraci për të gjithë, në këto ditë të vështira për vendin, kjo arrihet vetëm duke i përfshirë edhe më shumë njerëzit, duke i dhënë zë më të fortë rolit të tyre në parti dhe në shoqëri. Ky duhet të jetë synimi ynë dhe bashkë, demokratë dhe qytetarë të thjeshtë, do ta bëjmë realitet” tha kreu i PD Lulzim Basha në mbledhjen e kryesisë së PD.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



