Rizgjedhja e Bashës kryetar, “Grupi për PD-në”: Zgjedhje të manipuluara

“Grupi për PD-në” ka dalë sot në një konferencë për mediet pas shpalljes së rezultatit zyrtar një ditë më parë për rizgjedhjen në krye të PD-së të Lulzim Bashës dhe i ka konsideruar zgjedhjet në kufijtë e pavlefshmërisë. Edit Harxhi si kandidate për postin e kryetarit të Partisë Demokratike i ka konsideruar si të manipuluara nga Kryetari i PD-se Lulzim Basha zgjedhjet e 13 Qershorit .“Këto zgjedhje nuk ishin zgjedhje, nuk ishin as zgjidhje, ishin larg standardit vendor dhe jo më ndërkombëtar për t’u quajtur zgjedhje. Ajo çfarë ne do të bëjmë si grup do të vazhdojmë të punojmë brenda PD me të gjitha strukturat që lëvizja jonë të vijojë për të kthyer vlerat e PD-së dhe për të hapur për të bërë një projekt të ri, ringritje, rithemelimin e partisë nga “A”, nga fillimi. Kjo do të vazhdojë, ne jemi grup dhe kemi të njëjtin qëndrim. Këto nuk ishin zgjedhje. Nëse Basha dëshiron që të vazhdojë të quhet kryetar partie është i lirë ta bëjë këtë gjë”, tha ajo.
Harxhi dhe grupimi për PD-në, parashtruan një sërë problematikash të zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike, ku spikat mungesa e rreth 30 mijë anëtarëve dhe themeluesve të Partisë Demokratike në listën e votuesve. Kjo është edhe arsyeja që sipas këtij grupimi, lista nuk iu dorëzua rivaleve të Bashës në garë. “Listat e anëtarësisë nuk u vunë në dispozicion të kandidatëve. Kjo i mohoi të drejtën e votës dhjetëra mijera demokratëve. Përjashtimi i 28 mijë anëtarëve të PD-së është shkelja më e rëndë e këtyre zgjedhjeve. Ka pasur nga ato që kanë shkuar me kartë anëtarësisë të lëshuara nga Azem Hajardi dhe nuk janë pranuar. Pra përveç listës së shkurtuar nga 106 në 75 mijë, ka pasur një mungesë shumë të madhe të emrave në listë. Në kundërshtim me çdo normë të Kodit Zgjedhor janë bërë anëtarë të rinj. Në disa qendra votimi ka pasur raste kur kanë votuar pa kartë anëtarësie. Audituesit elektronik përfaqësuesit e kandidatëve nuk janë lejuar të shikojnë nëse ka modifikime në sistem. Në 90% të rasteve vëzhguesit janë kërkuar që të rrinë larg tavolinës së komisionit. Ka pasur raste kur vëzhguesit janë kërcënuar nga anëtarët e komisionit. Disa janë përjashtuar nga komisioni. Nuk është zbatuar rregullorja në lidhje me modalitet e procesit zgjedhor, “tha ajo.
Gjithashtu për këtë grupim PD po funksion jashtë shtatit ligjor,pasi asnjë ndryshim në legjislacionin e brendshëm të Partisë, nuk është regjistruar në librin e partive politike në Gjykatë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



