SHBA do të bllokojë pasuritë e personave “non grata” dhe të të korruptuarve në Shqipëri

Tashmë është e qartë. Personave të përfshirë në afera korruptive madhore në vendet e Ballkanit Perëndimor, do t’u sekuestrohen pasuritë që kanë, ose mund të vënë në të ardhmen në SHBA, apo institucione amerikane jashtë territorit të SHBA. Ky është urdhri i fundit i nxjerrë nga Presidenti Joe Biden.
“Të gjitha pronat dhe interesat që janë në SHBA, që hyjnë në të ardhmen në SHBA, apo që janë ose mund të bien në zotërimin, apo kontrollin e një shtetasi amerikan bllokohen menjëherë dhe nuk mund të transferohen, paguhen, eksportohen, tërhiqen, apo çdo formë tjetër marrëveshje për të gjithë personat e përcaktuar nga Sekretari i Thesarit në konsultim me Sekretarin e Shtetit”, thuhet në urdhrin e Presidentit Biden.
Presidenti amerikan ka amenduar një vendim të 2001, që deri më tani përfshinte vetëm personat e akuzuar për krime lufte, ose që SHBA kishte vlerësuar si kërcënim për sigurinë dhe interesat e saj. Me ndryshimet e reja përfshihen edhe personat e shpallur “non grata” në SHBA, me akuzat që lidhen me korrupsionin.
“…që janë përgjegjës, apo bashkëpunëtorë, që janë angazhuar direkt, apo indirekt në afera korruptive në Ballkanin Perëndimor, përfshirë korrupsionin nga, ose të lidhur me qeverisjen në Ballkanin Perëndimor, si keqpërdorimi i aseteve publike, shpronësimi i aseteve private për fitime personale, apo qëllime politike, apo për rryshfet”, thuhet në përcaktimin e ri.
Subjekte të këtij vendimi janë edhe personat që mund të vlerësohen si përgjegjës, ose bashkëpunëtorë direkt, apo indirekt në veprime e vendime që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin dhe integritetin territorial të çdo zone, apo shteti në Ballkanin Perëndimor.
Sipas urdhrit, Sekretari i Thesarit në konsultim me Sekretarin e Shtetit autorizohet për të ndërmarrë veprime të tilla, duke përfshirë shpalljen e rregullave dhe rregulloreve. Të gjithë departamentet ekzekutive dhe agjencitë e Shteteve të Bashkuara, do të marrin të gjitha masat e duhura, brenda autoritetit të tyre, për të zbatuar këtë urdhër.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



