Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PD për përjashtimin e 7 gjyqtarëve

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve.
Sipas Kolegjit Zgjedhor, pretendimet e PD se shtatë anëtarët e tij nuk garantojnë paanshmëri në gjykim, janë të pabazuara.
Partia Demokratike kërkoi dje përjashtimin e 7 prej 8 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, që kanë rrëzuar paditë për Gjirokastrën, Vlorën dhe Beratin.
Sipas PD, “me vendimet e dhëna deri tani, këta gjyqtarë, njësoj si komisionerët politikë të KAS, refuzojnë transparencën mbi masakrën zgjedhore të 25 prillit”.
Ndërsa sot PD reagoi dhe e quajti akt të paprecedentë që Kolegji të shqyrtojë ‘veten’.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demoktatike, Marash Logu bëri me dije se mbledhja ka nisur që në orën 08:30 të mëngjesit të sotëm, ku gjyqtarët do të gjykojnë mbi një kërkesë për përjashtimin e vetes. Këtë gjë, Logu e konsideron një akt unik në historinë e jurisprudencës botërore.
“Me urgjencë të paparë, sot në 08:30, Kolegji Zgjedhor ka vendosur të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve (nga tetë) për shkak të cënimit të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Shpresoj shumë që 7 gjyqtarët e Kolegjit nuk do t’i shkojnë deri në fund paligjshmërisë, duke gjykuar vetë mbi një kërkesë për përjashtimin e tyre (gjyqtarë të vetes). Ky do të ishte një akt unik në historinë e jurisprudencës botërore”, shprehet Logu.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




