Meta pret Konjufcën: Mbështesim dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti Meta priti sot në një takim Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kosovës,Glauk Konjufca, me të cilin diskutuan për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në të gjitha fushat, ecurinë e proceseve integruese drejt Bashkimit Europian, si dhe rreth zhvillimeve në rajon. Presidenti Meta u shpreh se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe theksoi domosdoshmërinë, që marrëveshjet e arritura dërimë tani mos të mbesin vetëm në letër. “Është e rëndësishme, që të gjitha forcat politike të Kosovës, të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”, – theksoi Presidenti Meta.
Kreu i Shtetit inkurajoi bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, që kanë patur një rol vendimtar në pavarësinë e Kosovës dhe afirmimin e saj ndërkombëtar.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit theksoi se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që urojmë të ndodhë sa më parë.
Me lehtësimin e masave antiCovid dhe me afrimin e sezonit turistik, Presidenti Meta inkurajoi një bashkëpunim më të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës, me qëllim zhvillimin e turizmit në të dyja vendet tona.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



