Basha vazhdon të refuzojë ftesën për bashkëpunim të kryeministrit Edi Rama

Politikë | 5 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vazhdon të refuzojë ftesën për bashkëpunim të kryeministrit Edi Rama. Ai deklaroi se masakra e 25 prillit nuk do njihet kurrë. “Dora e bashkëpunimit është e mbushur me helm jo vetëm për mua por për Shqipërinë dhe shqiptarët. Jo-ja ime është e prerë dhe finale. Pavarësisht masakrës zgjedhore dhe qindra faktorëve të tjerë që secili prej jush i ka ndjerë, fakti është se shqiptarët nuk kanë shpresë dhe forcë tjetër për t’i nxjerrë nga qorrsokaku përveç Partisë Demokratike”, tha kryedemokrati gjatë takimit me demokratët në zonën e Shkodrës.
Ai shtoi se “në të vërtetë 25 prilli është ditë e një fatkeqësie kombëtare, është dita e vdekjes klinike të demokracisë; Për ta thënë thjeshtë, shkoqur dhe qartë për këdo, demokraci mbi së gjitha dhe para së gjithash do të thotë vullnet i shumicës dhe me 25 prill shumicës i është mbivendosur një pakicë e pakicës.  25 prilli nuk ka lidhje me demokracinë, nuk ka lidhje me vullnetin e shkodranëve, nuk ka lidhje me vullnetin e shqiptarëve. 25 prilli është gjëma dhe krimi final i regjimit të Edi Ramës dhe Tom Doshit, “ tha  zoti Basha.
Kreu i PD tha me optimizem se “i kemi të gjitha mekanizmat për ta mbajtur ndezur flakën e shpresës për ndryshim në shpirtrat e njerëzve, e kemi gjithë forcën e nevojshme për ta rëzuar këtë regjim plaçkitësish. Tani gjithçka varet nga ne. Të qëndrojmë të vendosur, të qëndrojmë të bashkuar, e t’i shkojmë betejës deri në fund. Kjo është oferta dhe kërkesa ime. Sikundër dua ta konsiderojmë 13 qershorin një datë të rëndësishme dhe jo një ditë rutine. Pas 25 prillit, ky është testi i parë jo vetëm për anëtarësinë, por edhe shqiptarët, për mbështetësit tanë dhe për të gjithë të tjerët për të parë sjelljen tonë, gjendjen tonë, forcën tonë”.tha Basha.

Ndërkohë rivalet e tij në garë, edhe sot thanë se Lidershipi Basha është i dështuar dhe se sipas tyre Basha duhet të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme