Balla i përgjigjet presidentit Meta: Zoti fal vetëm mëkate shpirtërore, jo ato penale

Nga manastiri i “Shën Joan Vladimirit” në Shijon, Elbasan, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu përgjigj edhe deklaratës së sotme të Presidentit Ilir Meta. Zoti Balla tha se “Zoti fal vetëm mëkate shpirtërore, jo ato penale”.
“Në hyrje të kësaj kishe, që për mua është një objekt shumë i dashur, mund të them se kisha dhe zoti fal vetëm mëkat shpirtërore dhe jo ato penale. Kaq mund të them. Apeli im është se do të doja që këtu me mua të ishin edhe kolegët e PD-së. Ftesa ime, të vijnë ta vizitojnë Manastirin e Shën Joan Vladimirit. Këtu sot bashkë me ne janë besimtarë nga Mali i Zi dhe Serbia. Siç na bashkon ky shenjt, duhet të bashkohemi brenda politikës shqiptare dhe mbi të gjitha brenda këtij rajoni”, tha ai.
Gjithashtu Balla tha se Manastiri i “Shën Joan Vladimirit” është mikpritës i pelegrinazhit të besimtarëve ortodoksë nga gjithë Ballkani, ndërkohë që tani ndodhen edhe lipsanet e shenjtorit.
“Me vendosjen e lipsaneve ftoj të gjithë besimtarët ta vizitojnë këtë vend të shenjtë, vend i krenarisë sonë në aspektin e traditës qindravjeçare të besimit të krishterë në Shqipëri. Gjej rastin të falënderoj autoritetet më të larta dhe ato vendore të komunitetit ortodoks për ruajtjen dhe vijimësinë e kësaj tradite”, deklaroi Balla.
Me tej gjatë fjalës së tij Balla theksoi se “Elbasani është kryeqyteti i bashkëjetesës ndërfetare dhe ne kemi detyrimin që në frymën e kësaj bashkëjetese fetare të punojmë të gjithë së bashku pa asnjë dallim në të mirë të zhvillimit të kësaj zone”
“Propozimi im ndaj kishës është që pelegrinazhi të jetë 1 javë. Këtu vijnë besimtarë të krishterë nga Mali i Zi, Greqia e Bullgaria. Shën Joan Vladimiri është simbol i mirëfilltë i asaj që ne në Ballkan duhet të kemi, modele të bashkëjetesës dhe integrimit. Modeli i integrimit evropian duhet të na orientojë të gjithëve”, tha Balla, ndërsa kërkoi që të rriten kapacitetet akomoduese në këtë destinacion të shenjtë dhe kulturor për qarkun e Elbasanit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




