Durrës e Shkodër, PD: KAS po noterizon masakrën e 25 prillit

Politikë | 5 vite më parë

Partia Demokratike akuzon Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve se po noterizon masakrën zgjedhore të 25 prillit.

“Noterët e masakrës zgjedhore në KAS refuzuan sërish të bëjnë transparencë për vjedhjen e mandateve në Durrës dhe Shkodër nga Rama-Doshi. 97 herë në 5 seanca publike, shumica në KAS i është bindur urdhrave politikë të Edi Ramës, Engjëll Agaçit, Damian Gjiknurit dhe Taulant Ballës, me të cilët komunikojnë përpara çdo vendimi për të fshehur krimin elektoral”, deklaron përfaqësuesi ligjor i PD-së në KAS, Marash Logu.

Logu thotë se vendimet me shumcië 3 me 2 të KAS janë krejtësisht politike dhe me justifikime qesharake për të refuzuar marrjen e provave të kërkuara nga PD te institucionet shtetërore.

Duke cituar deklaratën e anëtarit të KAS, Koli Bele, që ishte edhe relator për ankimimin e demokratëve për Durrësin, Logu thotë se institucionet shtetërore nuk i kanë kthyer ende përgjigje PD-së.

““PD nuk ka kryer përpjekje për t’i marrë vetë këto prova”. Gënjeshtër! PD ka depozituar 100 kërkesa për informacion tek institucionet publike, por akoma nuk ka asnjë përgjigje prej tyre. “Informacionet që kërkon PD nuk përbëjnë provë për rrëzimin e zgjedhjeve”. Gënjeshtër! Neni 137 i Kodit Zgjedhor përcakton qartë se informacionet zyrtare nga organet publike përbëjnë prova”, shprehet Logu.

Sipas PD, në Durrës dhe Shkodër vota u ble nga 100 deri në 300 euro për të siguruar pushtetin e aleancës Rama-Doshi.

“Noterët e masakrës zgjedhore duan të mbulojnë faktin se në Durrës apo Shkodër, vota u ble nga 100-300 euro për t’i siguruar pushtetin aleancës Rama-Doshi. Ata mund të ndalojnë sot të vërtetën, por s’mund ta mbulojnë përgjithmonë”, thotë Logu.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme