Basha nga Shkodra: Të vazhdojmë deri në fund betejën për 25 prillin, vjedhjen më e madhe në historinë e pluralizmit!

Politikë | 6 vite më parë

Kryetari i PD-së së opozitës Lulzim Basha, ka përsërtitur të mërkurën se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, janë vjedhja më e madhe në historinë e pluralizmit në Shqipëri, por opozita do të vazhdojë betejen e saj deri në fund. 
Duke folur nga Shkodra, një bastion i njohur antikomunist dhe mbështetës i PD, Zoti Basha tha se “sot kam ardhur për të vazhduar dhe për ta çuar së bashku deri në fitore betejën që kemi nisur…Nëse jemi të gatshëm të pranojmë dhe të ndreqim ato që janë në dorën tonë të ndreqim, atëherë i kemi të gjitha mjetet për ta mbajtur të ndezur shpresën dhe pasionin për ndryshim të shumicës dërrmuese…” tha zoti Basha.
“Të gjithë jemi dëshmitar se si i derdhën lumë paratë e korrupsionit dhe i përdoren banditët, për të shantazhuar, intimiduar dhe blerë votuesit. Në mënyrën më të paimagjinueshme që nga kohërat më të egra të diktaturës” tha ai.
Për zotin Basha në Shkodër ka ndodhur e pamendueshmja. “Për herë të parë në 30 vite Tom Doshi dhe banditët e tij detyruan të largohet dhe të mbyll mbledhjen një ambasadore perëndimore, pasi grabitën në sy të saj një të ri shkodran i cili pati guximin të ngrihej në këmbë dhe të thoshte: këtu po blen vota Tom Doshi” tha ai.
Por megjithatë sipas zotit Basha, “ata nuk ia dolën të trysnojnë demokratët e Shkodrës dhe qytetarët shkodranë”. “Ju dolët në betejë si njerëz të lirë pa asnjë pushtet dhe pavarësisht vjedhjes më të madhe në historinë e pluralizmit ia dolët dhe e patë në sytë e njerëzve, e ndjetë në zemrat e tyre sesi e ngritët peshë shpirtin e tyre, pasionin e tyre për ndryshim” tha zoti Basha.
“Në këto kushte ne kemi një dhe vetëm një detyrë, të vazhdojmë deri në fund betejën derisa e drejta për 25 prillin të jetë e qartë dhe e kthjellët si qielli. Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur, të gjithë e dimë se forca dhe vullneti juaj bënë diferencën pavarësisht prej makinerisë shtetërore të bërë njësh me mafien, pavarësisht regjimit Rama-Doshi” tha kreu i opozitës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme