Zgjedhjet 2021, transparenca e fondeve

Janë fikur tashmë motorët e fushatës elektorale për zgjedhjet 2021. Buxheti i shtetit ka paguar, nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, rreth 125 milionë lekë shpenzime zgjedhore. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka certifikuar zgjedhjet kuvendore të 25 prillit, ndërsa në një fazë të dytë pret nga partitë politike raportet financiare me strukturën e plotë të financimeve dhe shpenzimeve për këto zgjedhje.
Ligji kërkon që transparenca të bëhet para zgjedhjeve. Transparenca e financimeve është futur deri në nivelet e Kushtetutës së Republikës, e cila kërkon që burimet financiare të partive politike, si dhe shpenzimet e tyre duhet të bëhen kurdoherë publike.
Përvojat e kaluara kanë treguar se, shpenzimet shumëmilionëshe për fushatat zgjedhore raportohen “me pikatore” në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Studime të organizatave joqeveritare kanë raportuar se shpenzimet që partitë deklaruan zyrtarisht në 2017 janë deri në 10 herë më të vogla sesa shpenzimet reale elektorale.
Problemi i fshehjes së fluksit real të parave që pompohen gjatë fushatave elektorale nuk është hetuar asnjëherë. Në raportet e kaluara, KQZ ka deklaruar se nuk ka kapacitete të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për të bërë verifikime të mëtejshme në lidhje me fondet për fushatën zgjedhore.
Për zgjedhjet e vitit 2013, Partia Socialiste ka shpenzuar rreth 187 milionë lekë. Për vitin 2013-kohë kur ishte në pushtet, Partia Demokratike raportoi një total shpenzimesh prej 96.6 milionë lekësh. Partia e tretë më e madhe në vend, Lëvizja Socialiste për Integrim për zgjedhjet e vitit 2013, raportonte një total shpenzimesh për fushatën në vlerën e 47 milionë lekëve.
Sipas raportit të KQZ, “nga 118 parti politike, të cilat duhet të auditoheshin, 71 parti politike nuk u arrit të kontaktoheshin nga ekspertët kontabël të kontraktuar”. Në fakt kështu ndodh në çdo fushatë zgjedhore. Raportet e auditit të pasqyrave financiare hedhin dritë mbi shkeljet e Kodit Zgjedhor, ndërkohë që KQZ u përgjigjet me sanksione minimale.
Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ishin tre nga shtatë subjektet politike e ndëshkuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me masa administrative që variojnë nga 1 milion deri në 2 milionë lekë. Këto gjoba paguhen me qejf nga subjektet!
Pragu prej 1% të votave kombëtare është tashmë kusht që një subjekt elektoral të pretendojë për mandat parlamentar. Ky prag kombëtar është hera e parë që po aplikohet pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të bëra gjatë vitit 2020.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




