Sonte, në emisionin “Përballë” në RTSH1-HD: Të rinjtë në darën e “të vjetërve”!

Kronikë | 6 vite më parë

Për shumë njerëz,  të pakënaqur dhe zhgënjyer nga zvarritja pa fund e tranzicionit shqiptar dëshira ka qenë dalja e një force të re, shfaqja e një lideri të ri apo nisja e një lëvizje që do të përmbyste gjithë klasën e “vjetër” politike. Por, revolucionet si në rrugë ashtu edhe në kutinë e votimit- kanë munguar. Shpresa për ndryshim ka mbetur tek të rinjtë, të pakomprometuarit me mëkatet e profesionistëve të politikës.

Në mungesë të alternativave të reja, shpresëdhënëse dhe të besueshme dhjetëra – mijëra shqiptarë në vend të ndërrimit të qeverive përmes votimit kanë zgjedhur ndërrimin e vendit të banimit duke u bërë emigrantë në Europë, Amerikë e gjetkë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, ndonëse kanë synuar rinovimin e përfaqësimit parlamentar, tri partitë kryesore në Shqipëri kanë ngurruar që rinia të ketë më shumë përfaqësim në listën e kandidatëve për deputetë.

Mosha e re, enegjia, mundësia për të parë përtej përfitimit ditor janë disa përparësi që i kanë të gjithë ata të rinjtë, që kanë zgjedhur politikën si profesion.

Partitë kërkojnë votat e të rinjëve dhe sidomos atyre që votojnë për herë të parë, por nuk u ofrojnë atyre përfaqësim real. Fakti është se shumë pak të rinj janë vendosur në zonat e sigurta të listave dhe forumet rinore thirren për të mbushur sheshet e mitingjeve, por jo edhe sallën e Parlamentit.

Për të diskutuar për vendin, rolin, hapësirën dhe idetë që kanë të rinjtë sot në politikë dhe në listat e kandidatëve për deputet,  sonte në #Përballë janë ftuar 3 drejtuesit e Forumeve Rinore të PD-së, PS-së dhe LSI-së. Ata, vetë  janë në garë për të kërkuar votën dhe në garë me kohën që vendi të ecë përpara në rrugën që të çon në anëtarësimin në Bashkimin Evropian.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme